Arrestimi i policit erdhi pasi IPK siguroi një video-incizim ku ai shihej duke e goditur një qytetar

Inspektorati Policor i Kosovës gjatë ditës së sotme arrestoi një polic të dyshuar për keqtrajtim të një qytetari në stacionin policor në Prishtinë.

IPK ka njoftuar se Departamenti i Hetimeve përmes rrugëve operative ka siguruar një informacion (video-incizim)  në bazë të të cilit polici dyshohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës.

“Rasti është regjistruar në IPK dhe hetuesit janë angazhuar duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Tutje në njoftim thuhet se pas disa veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë kompetente, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot zyrtarin policor (punonjës në Drejtorinë Rajonale në Prishtinë) që ishte i përfshirë në këtë incident.

“Arrestimi i tij është bërë me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra”, thuhet tutje në njoftim.

IPK ka njoftuar se veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij rasti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.

KALLXO.com raportoi gjatë ditës së sotme në lidhje me këtë rast.