Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq Foto nga transmetimi i OKB-së
Arrestimi i pesë serbëve për krime lufte në rajonin e Gjilanit, Serbia akuzon Kurtin për terror e kritikon ndërkombëtarët për mosreagim
Qeveria Serbe e ka quajtur arrestimin e pesë serbëve për krime lufte si “terror të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ndaj serbëve të Kosovës”.
Ai është shprehur edhe i pakënaqur me mosreagimin e faktorit ndërkombëtar.
“Shtrohet pyetja se si nuk është e qartë për faktorin ndërkombëtar dhe misionet se nuk ka sundim të ligjit në zonën e Kosovës, se serbët arrestohen sipas listave sekrete të Kurtit, sipas të cilave kushdo që është një serb është fajtor dhe se, në përputhje me rrethanat, gjyqet e montuara kryhen nën akuza të rreme me qëllim të spastrimit përfundimtar etnik të serbëve” – thuhet në njoftimin e Qeverisë së Serbisë më 03.08.2024.
Në njoftimin e Qeverisë serbe është bërë e ditur se kanë ofruar ndihmë juridike falas për të arrestuarit.
Gjykata Themelore në Prishtinë njoftoi më 03.08.2024 se ka caktuar nga një muaj paraburgim për D.C., D.N., N.S., S.J., M.Sh. që dyshohen se me dashje kishin vrarë, plagosur, djegur për së gjalli viktimat civile shqiptare, marrë peng, dhunuar, rrahur, maltretuar, torturuar fizikisht dhe psiqikisht, plaçkitur, shkatërruar pronat e shqiptarëve dhe djegien e tyre, dëbuan popullatën civile shqiptare, si dhe kishin shkatërruar dhe abuzuar objektet kulturore dhe fetare.
Në njoftimin e Gjykatës së Prishtinës thuhet se të pandehurit D.C, D.N, M.SH, N.S dhe S.J dyshohen se në bashkëkryerje të armatosur dhe të veshur me uniforma të kamufluara dhe uniforma jo të rregullta të policisë apo ushtrisë serbe me datë 05.04.1999, në orët e para të mëngjesit, kishin ndërmarrë një aksion në fshatrat Inatoc (Kokaj), Llovcë, Pogragjë dhe Uglar.
Gjykata ka vlerësuar se nëse të pandehurit e arrestuar më 03.08.2024 lihen në liri, paraqitet rrezik që të njëjtit të ikin dhe të shmangen nga procedura penale, pasi janë shtetas të Republikës së Serbisë dhe mund të jenë të pakapshëm për organet e drejtësisë. Kësaj i është shtuar edhe arsyeja se mund të bëjnë përpjekje të zhdukin provat materiale e të ndikojnë në të dëmtuar ose në të pandehur të tjerë, të cilët gjenden në arrati.
Nga një muaj paraburgim për pesë serbët e arrestuar për krime lufte në rajonin e Gjilanit