Arrestimi i ministrit Damka: Çka thuhet në kërkesën e Prokurorisë për caktim të paraburgimit?

Prokuroria Themelore e Prizrenit i ka kërkuar Gjykatës Themelore masën e paraburgimit ndaj ministrit të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka dhe familjarit të tij, Fuad Damkës, të dyshuar për “sulm dhe kanosje ndaj dy personave”.

Bazuar në Dosjen e Prokurorisë, dy të dyshuarit pretendohet se fillimisht i kishin sulmuar fizikisht dy anëtarët e Partisë Turke të Lëvizjes Novatore, e më pas i kishin kërcënuar se do t’i privonin nga jeta duke iu drejtuar me fjalët: “Ju kalli të gjithëve, ju vras”.

Sipas kërkesës për caktim të masës së paraburgimit të cilën e ka siguruar KALLXO.com, më 09.02.2025, rreth orës 17:20, ministri Damka, njëherësh edhe Kryetar i Partisë Demokratike Turke të Kosovës, për shkak të mosmarrëveshjeve të mëhershme politike ka përdorur forcë fizike ndaj Arda Malokut dhe Muharrem Jables, anëtarë të Partisë Turke të Lëvizjes Novatore.

Prokuroria pretendon se Damka fillimisht e kishte sulmuar fizikisht Arda Malokun.

“Të dëmtuarit ishin së bashku me disa anëtarë të tjerë të partisë së tyre, duke qëndruar në parkun e lagjes. Në një moment aty kalon i pandehuri dhe i afrohet të dëmtuarës dhe menjëherë i drejtohet me fjalët ‘Ti shporru nga ky vend. Kjo është zonë e imja. Kush je ti me qëndru?’, e më pas e kap nga supi i saj dhe me dy duart e shtyn.” – thuhet në kërkesën për paraburgim.

I pandehuri Fikrim Damka, sipas Prokurorisë, më pas i ka kanosur seriozisht të dëmtuarit Arda Maloku dhe Muharrem Jable, me fjalët se do t’i privojë nga jeta, derisa ata po qëndronin në parkun e lagjes.

“Ju kalli të gjithëve, ju vras.” – pretendohet të ketë kërcënuar Damka, sipas Prokurorisë.

Muharrem Jables thuhet se i ishte drejtuar me fjalët: “Ty jam duke të kërkuar qe sa kohë. Ty unë kam me vra. Ty kam me t’mytë. Ty e tërë familjen.” – thuhet në kërkesën për caktim të paraburgimit, të cilën e posedon KALLXO.com

Andaj, sipas Prokurorisë, i pandehuri Fikrim Damka ka kryer vepër penale: “kanosje”, nga Neni 181 i  Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Kërkesa për caktim të paraburgimit ndaj ministrit Damka u kundërshtua nga avokati mbrojtës Skënder Morina.

“Kërkesa për paraburgim është e papranueshme për ne, sepse nuk qëndrojnë arsyet e Prokurorisë. Zotëri Damka nuk mund të ndikojë në dëshmitarë sepse as nuk ka interes. Po ashtu, është hera e parë që ka çështje me ligjin. Ka qenë ditë e Zgjedhjeve, andaj rivaliteti politik që e kanë ka mundur të jetë motiv. Po supozoj.” – tha për KALLXO.com, avokati mbrojtës i Fikrim Damkës.

Prokuroria kërkon caktim të masës së paraburgimit edhe ndaj Fuad Damkës, familjar i Ministrit.

Prokuroria pretendon se familjari i Ministrit ka sulmuar fizikisht Muharrem Jablen.

“Në një moment, i pandehuri sulmon të dëmtuarin Muharrem Jable, duke e shtyrë me duar nga gjoksi i të dëmtuarit, me çka ka kryer vepër penale: ‘sulm’, nga Neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.” – pretendon Prokuroria e Prizrenit.

Prokuroria Themelore e Prizrenit me veprën penale “kanosje” e ngarkon edhe familjarin e Ministrit.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Fuad Damka i ka shkaktuar pasiguri për jetën e tij Muharrem Jables, duke iu drejtuar me fjalët: “Prej këtij momenti ki punë personale me mua”.

Me këtë, sipas Prokurorisë, i pandehuri Fuad Damka ka kryer veprën penale “kanosje”, nga Neni 181 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Avokati i palës së dëmtuar pret që ndaj të pandehurit Fikrim Damka të caktohet masa e paraburgimit.

“Konsideroj se bazuar në rrethanat aktuale, masa më ideale dhe e duhur do të ishte që ndaj ministrit Fikrim Damka të caktohet masa e paraburgimit, pasi që bëhet fjalë për persona zyrtarë të profilit të lartë. Presim që Gjykata ta caktojë masën e paraburgimit, sepse kemi të bëjmë me një rast të paprecedent.” – tha avokati Gent Gjini.

Në lidhje me rastin, KALLXO.com i ka dërguar pyetje Qeverisë së Kosovës, më 10.02.2025, por deri në publikimin e lajmit nuk mori përgjigje.

Por, në një reagim, më 10.02.2025, KDTP-ja ka shprehur pikëllim dhe zhgënjim të thellë për arrestimin e Fikrim Damkës, duke thënë se “ky është një provokim nga qarqe të caktuara që synojnë të lënë në hije Zgjedhjet”.

Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në një park, në lagjen “Kurile” në Prizren, pikërisht në ditën e Zgjedhjeve.

Arrestimi i ministrit Damka, kryeprokurori Kryeziu thotë se personat u kërcënuan me jetë