Zenun Elezaj, AAK, Klinë. Foto: Kallxo.com

Arrestimi i Mehmetajt në Serbi, reagon kryetari i Klinës

 

Kryetari i Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, ka kërkuar lirimin e qytetarit Nezir Mehmetaj i cili është arrestuar mbrëmë nga Policia serbe në pikën kufitare në Merdare.

Elezaj në llogarinë e tij në Facebook ka thënë se arrestimi i Mehmetajt është bërë vetëm për shkak se është shtetas i Kosovës, njofton Klan Kosova.

“Arrestimi i Nezir Mehmetaj nga Rudica e Klinës nga autoritetet serbe, me të vetmen arsye se është shtetas i Republikës së Kosovës, dëshmon edhe një herë se shteti Serb është kundër lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës”.

“Si Kryetar i Komunës së Klinës dënoj arrestimin dhe kërkoj që autoritetet vendore dhe Brukseli zyrtar të marrin masa urgjente për lirimin e Nezirit dhe të i bëhet e qartë shtetit Serb që politika e tillë e ndalimeve, arrestimeve e përndjekjeve politike duhet të marrë fund”.

“Komuna e Klinës do të jetë në kontakt të vazhdueshëm me Ministrinë e Punëve të Jashtme për të marrë informacione të hollësishme për rastin në fjalë”.

Për këtë arrestim ka reaguar edhe kryediplomati Behgjet Pacolli. Klikoni në linkun e mëposhtëm për t’u informuar më shumë rreth kësaj ngjarje./RTK