Haki Rugova, LDK, Istog. Foto: Kallxo.com
Arrestimi i Haki Rugovës, reagon i vëllai
Nesër në ora 10:00 Haki Rugova pritet të del para gjyqtarit në Gjykatën Themelore të Pejës.
Mbrëmë kryetari i LDK-së Haki Rugova, një drejtor i Komunës dhe një zyrtar tjetër janë arrestuar nën dyshimet për tre vepra penale.
Lidhur me arrestimin e kryetari të Istogut Haki Rugova, ka reaguar vëllau i tij Ismet Rugova, duke thënë se kohëve të fundit është duke u ushtruar presion i vazhdueshëm ndaj Haki Rugovës dhe kompanisë “Macon” që është në pronësi të vëllezërve të Haki Rugovës.
“Ky presion është duke u bërë në mënyrë sistematike dhe kriminale, duke përdorur institucionet e kapura të shtetit dhe zyrtarët e korruptuar”, ka shkruar Ismet Rugova.
Vëllai i Haki Rugovës ka shkruar se ky i fundit nuk është i pasur siç pretendohet dhe as i korruptuar ngase Haki Rugova sipas vëllait të tij ka në pronësi një banesë në Istog dhe trual në fshat të trashëguara nga bashkësia familjare.
Ndërsa vëllai i Haki Rugovës, Ismet Rugova ka dhënë sqarime dhe për kompaninë “Macon” që sipas tij në 14 vitet e fundit ka realizuar vetëm një tender dhe atë para 6 vitesh.
Ismet Rugova tutje ka thënë se në këtë kompani janë të punësuar 5 inxhinier nga kjo familje e që sipas tij “ju siguroi se edhe ne kemi mundur të punësohemi nëpër Ministri, Borde ose poste të ndryshme shtetërore”.
Në fund vëllai i Haki Rugovës ka shkruar se gurthyesi për të cilën po dyshohet Haki Rugova është e licensuar që nga viti 2009, dhe vëllezërit e Haki Rugovës janë pronar të saj, andaj sipas Ismet Rugovës nuk ka asnjë shkelje ligjore.
Sipas tij arrestimi i Haki Rugovës lidhet me faktin se tashmë jemi futur në vitin zgjedhor, pasi që në vitin e ardhshëm mbahen zgjedhjet lokale për kryetar të komunave, dhe sipas vëllait të Haki Rugovës “ po tentohet që Haki Rugova dhe LDK-ja të njollosen sepse në një garë të ndershme vështirë se mund të rrëzohen”.
Kjo nuk është hera e parë që kryetari i Istogut Haki Rugova do të paraqitet në Gjykatë.
Kjo pasi që i njëjti është duke u përballur edhe me një aktakuzë në një proces gjyqësor tjetër, ku akuzohet për konflikt të interesit, pikërisht lidhur me detyrën e tij si kryetar i Komunës së Istogut.
“Drejtësia në Kosovë” kishte raportuar për tenderët që kompania familjare e kreytarit Haki Rugova kishte fituar në Komunën e Istogut, e ku sipas deklarimit të pasurisë, përqindje në kompani kishte edhe vet kryetari Haki Rugova.