Foto: Ilustrim

Arrestimi i Driton Podrimqakut erdhi pas raportimit të KALLXO.com

Driton Podrimqaku ishte në kërkim për pak ditë nga Policia për shkak se i njëjti dyshohej për sulm me veturë ndaj një zyrtari policor në Pejë.

E gjithë historia e të dyshuarit deri në identifikimin dhe arrestimin e të dyshuarit nisi pas një raportimi në KALLXO.com.

Një person kishte raportuar në KALLXO.com dy javë më parë se ishte viktimë e fajdes.

Rasti po ndodhte në qytetin e Pejës ndërsa menjëherë pas marrjes së informacioneve KALLXO.com kishte dërguar rastin në Prokurorinë e Pejës.

Pas hetimit nga ana e Prokurorisë dhe pas intensifikimit të hetimeve, Driton Podrimqaku gjatë një operacioni policor ishte arratisur ndërsa kishte lënduar edhe një zyrtar policor gjatë arratisjes.

Podrimqaku i cili ishte i dyshuar për fajde tani po kërkohej nga Policia edhe për sulm ndaj personit zyrtar deri sa gjatë ditës së djeshme Policia njoftoi se kishin arritur ta arrestonin të njëjtin.

Sot Driton Podrimqaku doli para gjyqtarit të procedurës paraprake ku iu shqiptuar edhe masa e paraburgimit për 30 ditë.

Emisioni “Kallxo Pernime” gjatë javës do të sjellë detaje ekskluzive që nga fillimi i rastit deri në arrestimin e të njëjtit.