Pika e përbashkët e kalimit kufitar Shqipëri-Kosovë në Morinë të Kukësit. Foto: Bashkim Shala

Arrestimet ‘zhdukën’ ryshfetin, por tregtia Shqipëri-Kosovë ka ende shumë probleme

Rreth dy muaj pas aksionit që solli arrestimin e 58 punonjësve të policisë në dy anët e kufirit, tregtarët në pikën kufitare të Morinës thonë se janë lehtësuar nga taksa e ryshfetit, por burokracitë në lëvizje mbeten të mëdha.

Rreth dy muaj pas arrestimeve masive të punonjësve të policive kufitare të Shqipërisë dhe Kosovës në Morinë, tregtarët në të dy anët e kufirit thonë se janë çliruar nga një tarifë fikse ryshfeti.

Më parë, ata paguanin 1 mijë lekë ose 10 euro sa herë kamionët kalonin andej dhe këtej kufirit sa për të shmangur telashet.

“Policët më parë për të bërë presion për para, na nxirrnin pengesa deri edhe te gomat e automjeteve ku thonin se janë të konsumuara, por tani jo. Një polic i ri që shërbente në kufi më tha me shaka se e kishte marrë malli të shihte qoftë edhe një 200-lekëshe,” thotë Albert Mata, bashkëpronar i kompanisë “Valdrin”.

Version të njëjtë pohon edhe Kudusi Dedja, bashkëpronar i kompanisë Lindi-AL që thotë se pagesa ishte gati e zyrtarizuar për secilin kamion që kalonte kufitin. “Tani kjo nuk po ndodh aktualisht,” thotë biznesmeni.

Ndryshimi duket se ka të bëjë me arrestimin, ndalimin dhe pezullimin e 58 punonjësve të policive kufitare në të dy krahët më 8 prill. Arrestimet u kryen pas një hetimi një vjeçar të Strukturës së Posaçme, SPAK në Shqipëri dhe Prokurorisë Speciale në Kosovë. Punonjësit e policisë po hetohen për shpërdorim detyrë dhe korrupsion dhe sipas njoftimit për shtyp të SPAK, në dosje janë 312 episode të veprimeve korruptive të oficerëve që shërbenin në pikë-kalimit të përbashkët kufitar Morin-Vermicë.

Arrestimet në Shqipëri u konfirmuan nga gjykata. Gjykata e Posaçme e Apelit la në fuqi 17 masa sigurie me burg, 14 masa arresti në shtëpi dhe 3 pezullime nga detyra. Në Kosovë, ku veç 26 të arrestuarve të prillit ishin ndaluar më herët edhe një grup tjetër oficerësh, shumica po hetohen në gjendje të lirë.

Ngjarja u përjetua si shokuese për punonjësit e tjerë të doganës.

Kryetari i Degës së Doganës së Morinit, Bardhyl Dervishi i tha BIRN se arrestimet e kishin tronditur.

“Situata është normale, pavarësisht goditjes psikologjike që morëm ku IPK-ja e Kosovës (Inspektoriati Policor i Kosvës) bëri arrestimin e policëve dhe parakaluan me pranga në duar, duke na lënë një shije te keqe,” tha Dervishi.

Pastrim radhësh

Operacioni i përbashkët kundër punonjësve të policisë kufitare u përjetua ndryshe në Shqipëri dhe në Kosovë. Funksionarë të lartë të policive kufitare të dy vendeve i thanë BIRN se puna në doganë nuk ishte cenuar, por ndanë qëndrime të ndryshme për arrestimet.

Kolonel Nexhmi Krasniqi, drejtor i Drejtorisë Rajonale “Perëndimi” Gjakovë, e cila ka nën mbikëqyrje kufirin shtetëror me Republikën e Shqipërisë, Malin e Zi, si dhe pjesë të kufirit me Republikën e Serbisë dhe atë të Maqedonisë Veriut, beson në pafajësinë e vartësve të tij.

“Ata akuzohen për “shpërdorim detyre”, por mesa jam informuar, deri tani nuk janë paraqitur prova të besueshme për t’i fajësuar për akuzën e ngritur,” tha ai për “BIRN”.

Në anën shqiptare të kufirit, aksioni shihet si “pastrim radhësh”.

Drejtori i Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit në Kukës, Gani Zeneli e konsideroi operacionin të suksesshëm.

“Kemi të bëjmë jo me një goditje të policisë, por me pastrim të radhëve të saj, në rastin konkret për ato punonjës që kanë shkelur rregullat,” tha Zeneli.

Operacione të tilla, sipas Zenelit, nuk e cenojnë besimin e qytetarëve te policia, por e rrisin atë.

“Vërej se publiku ka shpehur keqardhjen se pse ka ndodhur një gjë e tillë, por shteti po i godet shkelësit e ligjit, qofshin ata në radhët e policisë,” thotë ai.

Dy drejtuesit e kufirit, si ai i Shqipërisë edhe ai i Kosovës, pretendojnë se çdo gjë është kthyer në normalitet në pikë-kalimet kufitare në Morinë, Qafë-Prushi(Has) apo Qafë-Morinë në Tropojë(Gjakovë).

“Janë arrestuar 26 punonjës policie në Vermicë. Për dy ditë janë zëvendësuar. Kemi përmbushë nevojat,” tha Krasniqi. Ai shtoi se punonjësit zëvendësues ishin marrë prej policive të rendit në Prizren për Vermicë-Morinën dhe nga policia e rendit e Gjakovës dhe e Pejës për Qafë-Prushin dhe Qafë-Morinën.

Për situatë normale pas arrestimeve flet edhe shefi i stacionit të policisë kufitare në Morin për palën e Kosovës, Arbër Telaku. “Pikë-kalimi kufitar Morin-Vermicë ka funksionuar normalisht dhe pa asnjë ekses. Kemi një bashkëpunim të mirëfilltë me autoritetet shqiptare. Në muajin maj (1-17 maj) janë përpunuar 331 mijë persona, ndërsa nga janari deri më tani ( 17 maj) janë përpunuar 1.5 milionë njerëz me 6 mijë automjete të të gjitha llojeve,” tha Telaku.

Kreu i Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit në Kukës, Gani Zeneli tha se pas arrestimit të pothuajse të gjithë punonjësve të stacionit të policisë kufitare në Morinë, janë krijuar vende vakante, të cilat po plotësohen.

Sipas tij, fillimisht trupa u plotësua me punonjës nga pikat e kufirit nga Dibra, Hasi, Tropoja apo Tirana. Ndërsa punonjës të rinj po trajnohen.

Zeneli u emërua drejtor pas pezullimit të paraardhësit të tij, Fran Kaçorri. Ai thotë se policia e kufirit ka pasur mjaft rezultate gjatë kësaj kohe.

“Gjatë kësaj periudhe nga policia e kufirit ka një angazhim maksimal. Rezultatet janë pozitive. Janë kapur 13 persona në kërkim. Janë ndaluar mjete e mallra kontrabandë. Kemi kapur edhe një rast kontrabande me viça që vinin nga Kosova dhe kjo është bërë në bashkëpunim me policinë e Kosovës,” thotë ai.

Por përtej vitrinës së bashkëpunimit në mirë, drejtori i Drejtorisë Rajonale “Perëndimi” në Gjakovë, Nexhmi Krasniqi duket se fajëson Shqipërinë për situatën e krijuar në pikat doganore. Krasniqi thotë se problemet ishin krijuar nga mosqarkullimi i oficerëve të policisë në anën Shqipërisë.

“Policia kufitare për vetë specifikat e saj duhet të qarkullojë, jo të rrijë 20 vjet si në Morinë,” thotë Krasniqi.

Një ish-drejtues i policisë kufitare të Morinit në krahun e Shqipërisë, thotë të njëjtën gjë, ndërsa kërkon të mos i përmendet emri.

“Kur kam qenë shef i stacionit të pikë-kalimit kufitar të Morinit, kam vënë re se diçka nuk po shkonte dhe kam kërkuar nga emërtesa transferimin e 50 efektivëve të policisë, por kam hasur në rezistencë, deri te ndërhyrjet politike dhe jam transferuar,” tha ish-drejtuesi.

Për drejtuesit e doganës, e cila nuk u prek prej arrestimeve, problemi është sistemi dhe jo njerëzit. Kryetari i degës së Doganës së Morinit, Bardhyl Dervishi thotë se vendosja e një sistemi elektronik për doganat i ka shmangur abuzimet aty.

“Nuk është me rëndësi ndërrimi i doganierëve, pra hiq pesë dhe vendos pesë të tjerë, që do të veprojnë njësoj,” tha ai.

Dervishi thotë se kontrollet elektronike e me skaner e kanë bërë të vështirë abuzimin nga doganierët.

“Nëse një doganier fizik abuzon, ai nuk mund të mbetet pa u ndëshkuar dhe kjo falë teknologjisë së instaluar në dogana,” thotë ai, ndërsa shton se ky sistem ka përmirësuar të ardhurat që mblidhen në doganë.

Devishi shtoi gjithashtu se punonjësit e policisë nuk trajtohen mirë dhe se një pjesë vijnë nga Dibra me shpenzimet e tyre.

“Tashmë këta policë janë të gatshëm të paguajnë të mos vijnë në Morinë dhe jo siç është vepruar në të kundërtën më parë,” tha Dervishi.

Më lehtë me Kinën se me Kosovën

Të lodhur nga “taksat” shtesë që duhej të paguanin, qytetarët janë të kënaqur me goditjen e korrupsionit në radhët e policisë.

Albert Xhemali, pronar i një servisi automjetesh në Kukës, i cili importonte makina nga Kosova thotë se ishte gjithmonë i detyruar të paguante ryshfet, ndonëse mund të mos kishte probleme.

“Duhej patjetër të paguaje te policia që kjo e fundit t’i jepte “OK” automjetit për të hyrë në Shqipëri dhe për të vazhduar më pas procedurat me doganën. Kjo për fat nuk po ndodh tani,”tha Xhemali.

Aksioni antikorrupsion i ka lehtësuar bizneset nga detyrimi për të paguar ryshfet në pikat e kalimit kufitar, por ata që tregtojnë mes dy vendeve thonë se kjo është vetëm një pjesë e problemeve që hasin.

Burokracitë, faturat e paunifikuara dhe probleme të tjera e bëjnë të vështirë tregtinë mes dy vendeve, edhe pse prej vitesh politikanë në të dy krahët kanë premtuar deri dhe heqje të kufirit dhe një mori lehtësish që kanë mbetur në letër.

“Më lehtë e kam të bëj tregti me Kinën se sa me Kosovën. Terminalet private në Kosovë janë me 40 euro. Në ndonjë rast ka zvarritje dhe mund të qëndrosh edhe më shumë se koha e përcaktuar dhe mund të shkojë edhe dyfishi, pra 80 euro,” thotë Albert Mata, bashkëpronar në kompaninë “Valdrin”.

Tregtari thotë se përtej premtimeve nga politika, problemet janë shtuar.

“Kërkojmë unifikim faturash me Kosovën,” tha Mata, si një prej masave që ai beson se do të lehtësonte qarkullimin e mallrave.

Njëlloj edhe biznesmeni Kudusi Dedja, bashkëpronar i kompanisë Lindi-AL thotë se unifikimi i faturave me Kosovën do të krijonte lehtësira me biznesin dhe do të eliminonte korrupsionin në dogana.

Dedja thotë se ai dhe kompania e tij prej vitesh nuk kanë probleme për shkak të emrit të kompanisë dhe se kalimi në dogana është lehtësuar.Por biznesmeni thotë se nga ana tjetër ai vijon të përballet me konkurencë të pandershme nga futja kontrabandë e pijeve energjike dhe lëngjeve të frutave që ai tregton. “Kam problem prej 16 vjetësh, pijet energjike dhe lëngjet po hyjnë kontrabandë nga Kosova në Shqipëri. Jam ankuar, por nuk kam gjetë zgjidhje,” thotë ai.

Për të konkurruar me kontrabandistët, Dedja thotë se do të duhej të ulte çmimin.

“Kjo është e pamundur, pasi ato më konkurrojnë se nuk paguajnë asgjë,” përfundoi ai.