Arrestimet në KPM, edhe Luan Latifi dyshohet për korrupsion

Arrestime të reja ndodhën pak momente më parë në Komisionin e Pavarur të Mediave.

Në pranga përfundoi edhe kryeshefi ekzekutiv i këtij institucioni, Luan Latifi.

Sikurse drejtori i Financave, Arben Bilalli, edhe kryeshefi Luan Latifi po dyshohet për marrje ryshfeti.

Sipas Prokurorisë, Latifi është dërguar në mbajtje.

“Personi me inicialet L.L., është intervistuar në cilësinë e personit të dyshuar në prezencën e avokatit mbrojtës dhe pas argumentimit të ndërlidhjes, është vlerësuar dyshimi i bazuar se si person me përgjegjësi ekzekutive në KPM, ka qenë në dijeni të qartë për kushtëzimet”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Latifi po dyshohet se bashkë me drejtorin e Financave Arben Bilalli kanë marrë ryshfet nga një biznes.

Ndaj Bilallit është kërkuar paraburgimi prej 30 ditësh pasi dyshohet se ka marrë ryshfet nga një biznes.

Sipas Prokurorisë, Bilalli dyshohet se ka marrë ryshfet në vlerë prej 8,000 € (tetë mijë euro), me premtimin se do të ndikoj në mosndëshkimin e një subjekti biznesor, për një shkelje të pretenduar nga i dyshuari, gjoja se ky subjekt biznesor i ka shkelur rregullat e KPM-së.

Ai është në pozita të larta në Komisionin e Pavarur për Media që nga viti 2008.

Komisioni i Pavarur për media është institucion i pavarur i themeluar me Kushtetutën e Kosovës për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.

Komisioni i Mediave trajton ankesat e qytetarëve për shkeljet e supozuara që mund t’i bëjnë mediat (Televizionet dhe Radiot) në etikë dhe në shfrytëzimin e licencës së transmetimit.