Arrestimet në KPM, deklarohet nënkryetari Granit Musliu

Arrestimi i kryeshefit ekzekutiv Luan Latifi dhe drejtorit të financave Arben Bilalli nën dyshimet për korrupsion ka bërë që kryetari i këtij institucioni të mbledh në një takim joformal të gjithë anëtarët.

Pas takimit i cili zgjati më shumë se një orë, nënkryetari Granit Musliu tha se nuk është marrë ndonjë vendim dhe se janë në pritje të vendimit të gjykatës.

“Komisioni i pavarur i mediave siç e keni pa dje për shkak të atyre problemeve që kanë ndodhë ka mbajtue një takim jo formal dhe kemi diskutu për hapat e mëtutjeshëm që do ti marrim si institucion dhe jemi në pritje të vendimit të gjykatës”, tha Musliu.

Ai shtoj se si komision nuk dinë asgjë më shumë përpos asaj që është raportuar në media.

“Siç keni marrë vesh edhe ju nga mediat edhe ne e kemi marrë, nuk ka pas rekomandim as agjende e as kërkesë për mbledhje, gjithçka që dimë ne janë vetëm ato që janë deklaruar për media, komisioni nuk ka qenë i informuar për asgjë”, shtoi ai.

Dy zyrtarë të lartë të këtij institucioni përfunduan të prangosur pasi po dyshohen se kanë marrë ryshfet në vlerë prej 8 mijë me premtimin se do të ndikohej në mosndëshkimin e një subjekti biznesor, gjoja se i kishte shkelur rregullat e KPM-së.

Ndaj dy zyrtarëve të arrestuar pritet që të merret vendim për masën e sigurisë nga Gjykata e Prishtinës.

Komisioni i Pavarur për media është institucion i pavarur i themeluar me Kushtetutën e Kosovës për rregullimin, menaxhimin dhe mbikëqyrjen e spektrit të frekuencave të transmetimit në Republikën e Kosovës.

Komisioni i Mediave trajton ankesat e qytetarëve për shkeljet e supozuara që mund t’i bëjnë mediat (Televizionet dhe Radiot) në etikë dhe në shfrytëzimin e licencës së transmetimit.

Luan Latifi, kryeshefi i KPM-së që u arrestua për korrupsion, deklaroi se ka mbi 50 mijë euro në banka