Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arrestime e aktakuza në bashkëpunim me SPAK, FBI e Europol, Prokuroria Speciale numëron sukseset e 2024-tës

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, në një Konferencë për media, shpalosi sukseset e Prokurorisë Speciale të Kosovës në vitin 2024, përfshirë bashkëpunimet me vendet fqinje e partnerët ndërkombëtarë, që rezultuan në arrestime e aktakzua.

Isufaj u shpreh se ky vit ishte sfidues, por edhe me arritje që prekin shtetin e shoqërinë.

“Kemi punuar, pa kompromis, për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe për t’i mbrojtur të drejtat e njeriut. Këto sfida nuk janë vetëm profesionale, por edhe morale. Angazhimi dhe bashkëpunimi me partnerë ndërkombëtarë ka qenë shtyllë themelore në punën tonë, që kanë forcuar imazhin e Kosovës si shtet, që ruan vlerat ndërkombëtare.” – u shpreh Isufaj.

Kryeprokurori theksoi se puna e tyre këtë vit ka qenë në harmoni me prioritetet dhe rekomandimet ndërkombëtare.

“Lufta kundër korrupsionit ka qenë dhe mbetet prioriteti ynë kryesor. Gjatë këtij viti, kemi ngritur akuza në disa raste të profilit të lartë dhe kemi në proces edhe raste tjera të nivelit të tillë.”

Ai përmendi edhe disa prej bashkëpunimeve rajonale e ndërkombëtare, që rezultuan me arrestime e aktakuza.

“Operacioni i përbashkët mes Prokurorisë Speciale të Kosovës, në bashkëpunim me autoritetet nga Maqedonia e Veriut, me ndihmën e Europol dhe Eurojust, për veprën penale “falsfikim i parave”, ku u arrestuan disa persona në të dy vendet. Operacioni Përbashkët i PSRK me Shqipërinë për veprën penale “trafikim me armë”, ku u arrestuan disa persona në të dy vendet dhe u sekuestruan dhjetëra armë. Operacioni i përbashkët me PSRK, FBI, SPAK, që rezultoi me arrestimin e tre shtetasve kosovarë dhe një të Shqipërisë, që përmes mashtrimit online kanë vjedhur të dhëna të qytetarëve amerikanë nga të cilat kanë realizuar dobi pasurore, përfshirë investime në kriptovalutë.” – u shpreh Kryeprokurori.

Isufaj teksa përmendi këto raste shtoi se “Bashkëpunimi dhe ndarja e informacionit japin rezultate të prekshme.”

Sipas tij, gjatë vitit 2024 janë pranuar 481 raste, derisa janë kryer 230.

“Dua të sigurojë të gjithë qytetarët se do vazhdojmë të punojmë dhe të luftojmë pa kompromis, kundër të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin, pa marrë parasysh pozitën, rolin që kanë në pushtet apo jashtë tij.” – theksoi më tej Isufaj.

Kryeprokurori Isufaj për Kurtin: Me thënë të vërtetën as që e kam shikuar çfarë ka thënë