Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Drejtori që dyshohej se mbushte makinën me naftë me paratë e Spitalit lirohet nga burgu

Një muaj arrest shtëpiak i është caktuar ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Spitalit të Ferizajt, Halit Gërbeshit, pasi që dyshohet se me paratë e Spitalit ka mbushur me derivate veturën e tij private.

Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, gjyqtari i Departamentit për Krime të Rënda ka vlerëuar se ekziston dyshimi se Gërbeshi që nga muaji shtator e deri në dhjetor 2021, në një pompë disa herë ka furnizuar me derivate veturën e tij private.

Sipas Gjykatës, këtë Gërbeshi e ka bërë pa u pajisur me vendim nga ana e Bordit Drejtues.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së arrestit shtëpiak kundër të pandehurit e ka aprovuar si të bazuar konform dispozitave të KPPRK-së, dhe të njëjtit i është caktuar masa e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 muaji”, thuhet në njoftim.

Për shkak të këtij dyshimi për keqpërdorim të detyrës, dje Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (ShSKUK), ka njoftuar se ka larguar përkohësisht nga puna Halit Gërbeshin.

U arrestua për keqpërdorim të detyrës, largohet përkohësisht nga puna drejtori i Spitalit të Ferizajt