Arkiv - Gjykata Themelore e Pejës

Arrest shtëpiak për ofiqarin e Pejës që dyshohet se regjistroi shtetasin turk në mënyrë të kundërligjshme

Gjykata e Pejës ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj Halit Gashit, zyrtar në Komunën e Pejës.

Masa e arrestit shtëpiak prej 30 ditëve është caktuar nga gjyqtarja e procedurës paraprake, Nushe Kuka-Mekaj.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar mbrojtësi i të dyshuarit, avokati Gzim Kollqaku.

Dosja penale e të dyshuarit përmban 3 raste që sipas Prokurorisë i dyshuari nuk i ka respektuar procedurat ligjore që përcaktojnë detyrat e tij të punës.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, Gashi po hetohet se ka kryer veprën penale – falsifikim i dokumentit zyrtar në vazhdimësi.

Në pranga është vënë edhe shtetasi i huaj turk që ka arritur t’i ketë në shfrytëzim dokumentet si pasaportën, letërnjoftimin dhe patentë-shoferin, për të cilin po zhvillohet procedura pranë Gjykatës së Prizrenit.

Shtetasi turk është i kërkuar sipas një letër-rreshtimi ndërkombëtar për vepra penale të dënueshme deri në 10 vjet.

I njëjti është në procedurë të ekstradimit pranë Gjykatës në Prizren sipas kërkesës së organeve të shtetit turk.

Kjo është bërë e ditur sot nga prokurorja Sahide Gashi në seancën dëgjimore lidhur me kërkesën e Prokurorisë për masën e paraburgimit.

KALLXO.com ka raportuar dje gjatë ditës për arrestimin e zyrtarit të Komunës së Pejës.