Arrest shtëpiak për kolegun e policit të dyshuar për keqtrajtimin e të riut

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën prej 30 ditë arrest shtëpiak për policin A.H., pas kërkesës së Prokurorisë që ndaj tij të caktohet masa e paraburgimit.

A.H., është një zyrtar tjetër policor për të cilin IPK kishte njoftuar se është arrestuar në lidhje me rastin e keqtrajtimit të të riut L.R. brenda stacionit të Policisë në Prishtinë.

Polici i Njësisë së Reagimit të Shpejtë, H.K., ishte arrestuar me 30 janar sërish pasi u lirua fillimisht me urdhër të prokurorit për veprën penale – keqtrajtim gjatë kryerjes së detyrës zyrtare.

Polici tani po dyshohet edhe për një vepër tjetër, atë të pengimit të të provuarit.

Viktima dyshohet se kishte pranuar telefonata anonime të mënyrës frikësuese për ta tërhequr deklaratën ndaj policit të NjRSh-së.

Kallxo.com ka kontaktuar me avokatin Kastriot Feka, i cili e ka mbrojtur të pandehurin A.H., gjatë seancës për caktimin e e masës së sigurisë.

Feka ka thënë se Prokuroria e Prishtinës nuk ka paraqitur asnjë provë lidhur me fajësinë e klientit të tij.

“Krejt çka mundem me thanë është që Prokuroria pa asnjë provë e ka bërë një kërkesë, e ka çu klientin tim në mbajtje, ka bo kërkesë për paraburgim pa as edhe një provë të vetme. I vetmi faj që mundet me pasë klienti im është se një koleg i tij ka kryer një vepër penale, as nuk ka qenë prezent kur është kryer vepra penale, i vetmi faj është se ka qenë në të njëjtin ndërrim, nuk po besoj që klienti im ose dikush tjetër e ka për obligim me u kujdes për veprimet e 8 mijë kolegeve”, tha Feka.

Po ashtu ai ka shtuar se kërkesa e Prokurorisë ishte për veprën penale – keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike, porse i vetmi fakt të cilin sipas tij e kishte paraqitur Prokuroria ishte se i mbrojturi i tij A.H., ka qenë në të njëjtin ndërrim me policin H.K.

“Nuk ka pasë asnjë fakt, e vetmja është se ka qenë në të njëjtin natë, në të njëjtin ndërrim, është e vërtetë që e ka arrestuar, nuk e kanë arrestu për kundërvajtje, e kanë arrestuar për mosbindje po vepra penale prej zyrtari tjetër policor H.K. ka ndodhur pa praninë e klientit tim, nuk ka qenë prezent as kur është bërë video, as nuk e ka kryer këtë vepër”, theksoi Feka.