Foto: Facebook

Arrest shtëpiak për gjinekologun nga Gjilani

Gjinekologu gjilanas V.Th, do të mbetet në arrest shtëpiak. Kështu ka vendosur Gjykata e Gjilanit pasi mjeku është vënë nën dyshimin se ka kryer veprën penale ‘trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor’.

Sipas njoftimit të gjykatës, gjinekologu V.Th., i cili punon në Repartin e Gjinekologjisë në Spitalin e Gjilanit, nuk ka ndërmarrë veprimet e duhura e me kohë për mjekim pas lindjes së një foshnjeje. Si rrjedhojë, foshnja e lindur nga pacientja D.Ll, brenda një kohe të shkurtër ka vdekur.

Prokuroria Themelore në Gjilan ka kërkuar ditë më parë paraburgimin e gjinekologut nën dyshimin se i njëjti nuk kishte përdorur trajtimin e duhur mjekësor gjatë procesit të lindjes nga pacientja D.Ll.

KALLXO.com kishte raportuar në lidhje me rastin dhe arrestimin e gjinekologut nga Gjilani.

Siç kishte mësuar KALLXO.com, pacientja D.Ll., 26 vjeçare, kishte raportuar se gjinekologu kishte përcjellë të gjithë shtatzëninë e saj ndërsa asnjëherë nuk kishte shprehur ndonjë shqetësim në lidhje me gjendjen shëndetësore të fëmijës, i cili vdiq pak minuta pas lindjes.