Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com
Arrest shtëpiak për avokaten Shemsie Sheholli dhe përmbaruesin Isak Islami, të dyshuar për ushtrim ndikimi dhe keqpërdorim të detyrës
Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj avokates Shemsie Sheholli dhe përmbaruesit Isak Islami lidhur me rastin për të cilin ishin ndaluar nga Prokuroria më 02.12.2024.
Sipas dyshimeve të Prokurorisë, avokatja Shemsie Sheholli ka kërkuar 25 mijë euro para nga pala që e përfaqësonte në emër të gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit.
Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Prishtinës, Mirlinda Gashi.
Avokatja Shemsie Sheholli dhe përmbaruesi Isak Islami janë ndaluar nga prokuroria më 02.12.2024 nën dyshimet se kërkuan 25 mijë euro para nga palët në emër të gjyqtarëve.
Këtë për KALLXO.com e kanë konfirmuar burime brenda Prokurorisë.
Sipas dyshimeve fillestare, ata dyshohen për ushtrim ndikimi dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare,
Sipas njoftimit të Prokurorisë, janë kërkuar rreth 25 mijë euro nga pala në emër të gjyqtarëve të Apelit.
KALLXO.com kishte provuar t’i kontaktojë të dy palët e referuara në komunikatën e Prokurorisë por nuk kanë pasur qasje në telefon.
“Pas një pune disa mujore të Prokurorit të Shtetit dhe Policisë së Kosovës, lidhur me hetimin e rastit të publikuar në media, ku dyshohet se kërkohen shuma prej 25 Mijë Euro në emër të anëtarëve të trupit gjykues të Gjykatës së Apelit, lidhur me lëndën e të dëmtuarit B.S.. Sot me datë 02.12.2024 si rezultat i punës hetimore janë ndaluar Sh.Sh. dhe I.I., për shkak të veprave penale ushtrimi i ndikimit nga neni 424 par. 1 të KPRK-së dhe veprës penale Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 par. 1 të KPRK-së”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë.