Arrest shtëpiak për asamblistin e LVV-së, i arrestuar për keqpërdorim me subvencione

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e sigurisë për 12 të arrestuarit, dje e sot, për keqpërdorim me subvencione. Tre nga të arrestuarit janë zyrtarë shtetërorë.

KALLXO.com mëson se ndaj dy prej të dyshuarve, ku njëri nga ta është Arton Elezi, zyrtar në Drejtorinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Vitisë dhe Bekim Bruçi, zyrtar në Institutin Bujqësor në Pejë, është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Ndërsa, për nëntë të dyshuarit e tjerë, njëri prej të cilëve është Liridon Fandaj, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Suharekës, është caktuar masa e arrestit shtëpiak.

Në kërkesën e Prokurorisë, të siguruar nga KALLXO.com, shihet se edhe ndaj asamblistit Fandaj ishte kërkuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Kërkesë të njëjtë Prokuroria kishte për dy zyrtarët tjerë, Elezi dhe Bruçi dhe po ashtu për të pandehurit e tjerë I.K., D.D., R.Z. dhe G.A..

Përderisa, masë e arrestit shtëpiak ishte kërkuar ndaj S.B., D.D., H.M., R.Z., A.M.

Policia e Kosovës kishte njoftuar gjatë ditës së djeshme se kishte arrestuar 11 persona për keqpërdorim me subvencione në Agjencinë për Zhvillimin e Bujqësisë, ndërsa arrestimi i personit të 12 ka ndodhur sot.

Në njoftimin e Policisë është thënë se 8 nga të arrestuarit janë përfitues subvencionesh, ndërsa 3 të tjerët janë zyrtarë.

KALLXO.com ka raportuar gjatë ditës së sotme se njëri nga këta të arrestuar është Liridon Fandaj, asamblist i Lëvizjes Vetëvendosje në Komunën e Suharekës.

I dyshuari i dytë i arrestuar, Arton Elezi, është zyrtar në Drejtorinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në Komunën e Vitisë.

KALLXO.com ka kontaktuar me drejtorin e Bujqësisë në këtë Komunë, Naim Pira i cili e ka konfirmuar se Elezi është arrestuar.

“E di që është një djalë që është arrestu. Kam dëgju edhe unë prej mjeteve të informimit, mirëpo nuk kam ndonjë informatë më shumë”, ka thënë Pira.

I arrestuari i tretë i dyshuar për keqpërdorim me subvencione, Bekim Bruqi, është zyrtar në Institutin Bujqësor në Pejë.

Arrestimin e tij e ka konfirmuar për KALLXO.com drejtori i Institutit Bujqësor të Kosovës, Fehmi Geci.

“Po, është arrestuar”, ka thënë Geci shkurtimisht për KALLXO.com.

Sipas njoftimit të Policisë, 11 të arrestuarit, dyshohet së janë përfshirë në veprat penale keqpërdorim i pozitës apo autoritet zyrtar, marrja e ryshfetit, dhënia e ryshfetit, mashtrimi me subvencione, falsifikimi i dokumenteve zyrtare dhe pengim i të provuarit apo procedurës zyrtare.

Këta të arrestuar janë nga komunat Pejë, Istog, Deçan, Viti, Suharekë dhe Ferizaj.