Arrest shtëpiak për 4 të dyshuarit për sulm ndaj policëve në Mitrovicë të Veriut

Gjykata e Mitrovicës ka caktuar masën e arrestit shtëpiak ndaj 4 personave që janë arrestuar në Mitrovicë të Veriut nën dyshimin për ofendim dhe sulm ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.

Lajmi është konfirmuar nga avokati Shyqyri Syla.

Sipas avokatit, Prokuroria kishte kërkuar masën e paraburgimit ndaj të dyshuarve.

“Gjyqtari i procedurës paraprake në seancën dëgjimore e refuzoi kërkesën e Prokurorisë Themelore për caktimin e paraburgimit dhe ua caktoi masën e arrestit shtëpiak” – tha avokati.

Që nga ora 10:00 e paraditës një grup qytetarësh të komunitetit serb kanë protestuar te hyrja e Gjykatës, duke kërkuar lirimin e personave të ndaluar.