Arratiset i dënuari për rastin e vrasjes së Oliver Ivanoviqit, Marko Roshiq
Është arratisur nga drejtësia, Marko Roshiq njëri nga të dënuarit për rastin e vrasjes së politikanit serb të Kosovës, Oliver Ivanoviq.
Nga data 28.06.2024, Policia e Kosovës nuk ka arritur ta gjejë të njëjtin, ka konfirmuar zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës në veri të vendit, Veton Elshani.
Elshani ka dhënë detaje për KALLXO.com në lidhje me kërkimin për Roshiqin.
“Diku më datën 28 qershor (2024), do të thotë është marrë vendimi nga Gjykata Themelore, Departamenti Special në Prishtinë për me e paraburgosë Marko Roshiqin. Ne informacionin për me shku dhe me e ndalë këtë person dhe me e futë në burg e kemi marrë në orët e pasdites, diku kah ora 15:00, pas orës 15:00”- tha ai.
Zyrtari i Policisë së Kosovës shtoi se derisa e kanë marrë njoftimin për kapjen e të dënuarit, i njëjti nuk ka qenë i qasshëm për organet e rendit.
“Informacionin që ka dalë në media, që është mbajt seanca, u caktua masa e paraburgimit, u caktua dënimi, kish qenë diku kah ora 10:00 – për media. Kështu që ne kur e kemi pranuar, ka qenë shumë vonë, ta kërkojmë…ai as nuk ka qenë aty, nuk ka qenë i qasshëm për neve. Edhe që nga ajo kohë, ai nuk është i qasshëm për ne” – shtoi Elshani.
Në rastin e vrasjes së Ivanoviqit, Marko Roshiq është i dënuar me 10 vjet burgim dhe gjobë prej 10 mijë euro për “pjesëmarrje e ose organizim i grupit kriminal” lidhur me “vrasje të rëndë”.
Më 28.06.2024, gjykata i ka gjetur fajtorë për këtë vrasje Nedeljko Spasojeviqin, Marko Roshiqin me nofkën “Roske”, Zharko Jovanoviqin dhe Dragisha Markoviqin me nofkën “LIMAJ”. Vrasja e udhëheqësit të Nismës së Serbisë për Demokracisë dhe Drejtësi Oliver Ivanoviq, ka marrë epilog rrugëtimi gjyqësor në shkallë të parë, pas më shumë se 6 vitesh nga kryerja e vrasjes, e gati 4 vite nga ngritja e aktakuzës.
Motivi i vrasjes sipas Prokurorisë ka qenë shtrirja e kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës si në jetën politike ashtu edhe ekonomike, dhe veprimtarisë së përgjithshme të aktivitetit kriminal.
Asnjëri nga të akuzuarit nuk ishte prezent në sallën e gjyqit në momentin e shpalljes së aktgjykimit.
Oliver Ivanoviq ishte qëlluar për vdekje përballë zyrave të partisë së tij në Mitrovicë të Veriut më 16.01.2018.