Arnold Schwarzenegger jep 250 mijë dollarë donacion për veteranët e pastrehë

Është një dhuratë Krishtlindjes të cilën veteranët e pastrehë amerikanë nuk do ta harrojnë kurrë. Në Twitter, aktori Arnold Schwarzenegger ka njoftuar se i ka dhënë donacion në vlerë 250 mijë dollarë shoqatës “Village for Vets”.

Përmes këtij donacioni u janë siguruar 25 shtëpiza të vogla veteranëve të pastrehë në perëndim të Los Angeles, raporton Le Parisien, përcjell KALLXO.com.

“Kjo është dhurata më e bukur për Krishtlindje”, ka deklaruar ish-guvernatorii i Kalifornisë.

“Ishte fantastike të kaloja një copë kohë me heronjtë tanë dhe t’i prisnim në shtëpitë e tyre të reja”, ka shkruar ai në Twitter.

Shtëpizat e siguruara nga donacioni i Arnold Schwarzenegger u jep mundësinë veteranëve të kalojnë këtë kohë me mot të lig me kulm mbi kokë para se t’u sigurohet strehë e përhershme.

Shtëpizat përbëhen nga një shtrat, kanë rrymë, ngrohje dhe klimatizim.