Ilustrim

Armët e djalit të policit dyshohet se ishin pa leje

Dy Kallashnikovë e katër armë të tjera të shkurta janë konfiskuar gjatë një bastisjeje të një shtëpie e cila rezultoi të jetë e djalit të një zyrtari policor në Viti me inicialet E.I.

Zëdhënësi i Policisë në Gjilan, Ismet Hashani për KALLXO.com ka thënë se ndaj djalit të policit do të iniciohet rasti – armëmbajtje pa leje.

“Ndaj të dyshimtit për posedim ilegal të armëve ilegale të inicohet procedurë penale për  – armëmbajtje pa leje dhe – shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. I dyshuari A.I. nuk është takuar pasi momentalisht gjendet në Zvicër ku punon dhe jeton”, tha Hashani për KALLXO.com.

Tutje ai tregoi se kanë marrë informacion fillimisht se në një shtepi në fshatin Beguncë ka armë.

Pas urdhër-kontrollit të lëshuar nga Gjykata në Gjilan është bërë rdhe bastisja e shtëpisë.

“Meqenëse i dyshuari A.I. është djali i zyrtarit policor, në kontroll ka marrë pjesë edhe Inspektorati Policor i Kosoves dhe hetues të njësive rajonale të hetimeve”, tha tutje Hashani.

Ai tregoi edhe se çka u gjet në shtëpinë e djalit të policit.

“Gjatë kontrollit të shtëpisë dhe objekteve përcjellëse  të të dyshimtit A.I.   (1986) nga fshati Beguncë, komuna Viti, janë gjetur dhe konfiskuar  armët e poshtëshënuara : dy armë automatike AK-47, katër armë pistoleta të llojeve të ndryshme dhe një sasi e konsiderushme e municionit të kalibrave të ndryshëm dhe disa gëzhoja të shkrepura në oborrin e shtëpisë së tij”, tha Hashani për KALLXO.com.

KALLXO.com raportoi në lidhje me rastin.

Suspendohet polici i Kosovës, në shtëpinë e djalit të tij u gjet arsenal armësh