Armend Zemaj thotë se u "keqinterpretua" për deklaratën në kundërshtim me atë të kryeministrit Hoti

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ditë më parë, gjatë një inspektimi në lokale të Prishtinës, pati deklaruar se Klinika Infektive nuk është e ngarkuar dhe se këto deklarata janë të dashakeqëve.

Kjo deklaratë ishte e kundërta nga ajo që të njëjtën ditë e kishte thënë Kryeministri Avdullah Hoti.

Mirëpo deklaratën e tij Zemaj sonte e arsyetoi duke thënë se nuk ka qenë fjala për Klinikën Infektive por për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, dhe se një gjë e tillë është keqinterpretuar nga mediat.

“Pyetja e gazetarës nuk ishte për Infektive por për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës dhe video ishte e këputur, dhe përgjigjia ime ishte se kjo është gënjeshtër, sepse në po atë ditë kishin ndodhur lirimet  e 15 pacientëve nga infektiva dhe pjesa tjetër ishin bartur në mjekësin sportive”, tha ai në TV Dukagjini.

Tutje Zemaj tha se nuk duhej të keqinterpretohej për interesa politike apo mediatike dhe se duhet të ofrohen informata të sakta.

“Nuk duhet të keqinterpretohej për interesa politkë qoftë edhe mediale edhe gazetarese duhet te kemi informata të sakta nuk kemi inteeres të askujt që të paraqesim gjëra të tilla”, u shpreh tutje ai.

Zemaj dhe Hoti kishin deklarata kundërthënëse në lidhje me këtë deklaratë.