Armend Zemaj: Rekordi i zi po tejkalohet çdo ditë

Ish ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër virusit COVID-19, pasi shkalla e infeksionit po kalon caqe shqetësuese.

Duke shkruar në rrjetin social ‘Facebook’, Zemaj ka thënë se rekordi i zi po tejkalohet çdo ditë.

“Pra, sot edhe më keq: 2.279 raste të reja me Covid-19 dhe 8 të vdekur. Ky është një lajm i keq, i cili na prek të gjithëve pa dallim”, ka shkruar Zemaj.

Ai u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave, ndërsa ka shprehur falënderim për profesionistët shëndetësorë, që po luftojnë kundër virusit.

“Ky virus i padukshëm dhe i tmerrshëm nuk e kursen askënd. Ai po na sfidon e dëmton shëndetin si dhe po merr jetët e më të dashurve tanë, ndaj: Ju lutem, kurdo që t’iu vijë mundësia e parë, vaksinohuni. Uroj që të gjithë t’i respektojmë rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike”, ka shkruar në fund Zemaj.

Sot, në Kosovë prapë është thyer rekordi për sa i përket rasteve të reja me COVID-19. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 2,279 raste të tilla dhe 8 të vdekur.

Regjistrohen edhe 2,279 raste të reja me COVID-19