Armend Zemaj: Qeveria Kurti s’ka as plan dhe as zgjidhje për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve

Menaxhimin e pandemisë COVID-19 nga qeveria e Albin Kurtit, ish ministri i shëndetësisë, Armend Zemaj po e quan një tmerr.

Duke marr shembull dy qendrat e vaksinimit në Prizren e Gjakovë, ku janë parë me dhjetëra qytetarë të grumbulluar duke pritur për vaksinim, Zemaj thotë se një gjë e tillë është dërgim në rrugën e infeksionit e jo në parandalim të tij.

“Derisa qendrat e vaksinimit po shndërrohen në shpërndarës të infeksionit, sikurse pamjet e sotme në Prizren e Gjakovë, ku edhe ashtu kemi rritje enorme brenda ditësh të rasteve spitalore e fatkeqësisht edhe numri i vdekjeve po rritet frikshëm”, ka shkruar ai në facebook duke ia bashkangjitur edhe dy foto nga grumbullimi i qytetarëve në qendrat e vaksinimit.

Ish ministri Zemaj, gjithashtu, thotë se qeveria Kurti nuk ka plan e as zgjidhje për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve dhe jetës së tyre.

“Qeveria Kurti dhe ‘Mindil Vitia’ s’kanë as plan dhe as zgjidhje për ruajtjen e shëndetit të qytetarëve dhe jetës së tyre. Kjo Qeveri ka hall tjetër, luksin e zyrave të qeverisë, agjendën populliste për vota dhe fushatën zgjedhore. Normal, edhe po bëjnë ‘praktikë’, me pushtet dhe me shëndet”, ka shkruar tutje ai.

Rastet e shpeshta me COVID-19, Kosova shënonte edhe në kohën kur Zemaj drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë dhe gjithashtu krijoheshin tollovi në tendën ku bëheshin testimet për virusin.

Virusi SARS-CoV-2 është paraqitur në Kosovë për herë të parë më 13 mars të vitit të kaluar dhe për më tepër se një vit janë infektuar 116 mijë e 987 qytetarë, prej tyre 2 mijë e 286 kanë vdekur si dhe 106 mijë e 157 janë shëruar.

Ndërsa sa i përket vaksinimi, Kosova është vendi i fundit në Evropë i furnizuar me vaksina.

Vaksinimi në nivel vendi ka filluar më 29 mars të këtij viti dhe deri më tani janë vaksinuar mbi 601 mijë qytetarë, nga ta mbi 388 mijë vetëm me dozën e parë dhe mbi 213 prej tyre kanë marrë edhe dozën e dytë të vaksinës.
Të vaksinuar komplet konsiderohen personat të cilët marrin dy doza të vaksinës COVID-19.