Armend Zemaj: Liberalizimin në vitin 2016 e penguan ata që sot janë në krye të shtetit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj tha se Kosova e kishte një mundësi për heqjen e vizave në vitin 2016, kur ishte ne pako për liberalizim me Ukrainën dhe Gjeorgjinë, por që sipas tij kjo u pengua nga disa figura që sot janë në krye të shtetit.

Këtë e tha Zemaj në Kuvendin e Kosovës ku deputetët po diskutojnë për debatin parlamentar në lidhje me mosliberalizimin e vizave nga BE për Kosovën.

“Ne e kishim një mundësi të artë në vitin 2015 dhe 2016 kur Kosova ishte në një pako me Gjeorgjinë dhe Ukrainën për të marrë liberalizimin e vizave, por të gjithë e dijnë kjo u pamundësua nga disa figura që po ashtu sot janë në krye të shtetit, edhe me disa zyrtarë tjerë në pengesën që ju bë ratifikimit të marrëveshjes të demarkacionit me Malin e Zi, besa u shfrytëzuan edhe forma tjera të quajtura mjete politike nga gazi lotsjellës, dhuna e shprehur në kuvend me hedhjen e gjësendeve të ndryshme në kuvend, po ashtu jashtë saj protesta të dhunshme dhe hedhje edhe të koktejve të molotovit ndaj institucioneve të vendi,” u shpreh Zemaj.

Debati parlamentar në lidhje me mos liberalizimin e vizave nga BE-ja për Kosovën është iniciuar nga AAK-ja.

Kosova është i vetmi vend në rajon që nuk ka liberalizim të vizave.