Armend Zemaj kërkon transparencë në konkursin për drejtor të ShSKUK-së

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka bërë thirrje për transparencë në konkursin për drejtor të ShSKUK-së.

Zemaj, i pyetur lidhur me veprimin e bordit të ShSKUK-së  të cilët jashtëligjshëm ndaluan monitorimin e konkursit nga shoqëria civile, tha se mostransparenca në këto procese shkon kundër parimeve të tij si ministër.

 

BIRN  kishte kërkuar nga Bordi i ShSKUK-së që t’i lejohet monitorimi në këtë konkurs por të njëjtët nuk e lejuan monitorimin.   Madje ekipi i BIRN-it u njoftua se nuk u lejohet të monitorojnë 20 minuta pasi filloi testimi me shkrim për kandidatët.

“Çdo kush që e pengon transparencën mendoj që bjen në kundërshtim me parimet e mija edhe të punës edhe të kërkesës që prej fillimit kur e kemi marr këtë mandat kemi punuar me transparencë të plotë… , tha Zemaj sot gjatë vizitës së tij në Klinikën e Pulmologjisë.

Kujtojmë se BIRN kishte kërkuar edhe qasje në dokumente publike për të kuptuar pse është rikthyer në garë për drejtor Valbon Krasniqi pasi fillimisht ishte eliminuar për mungesë të plotësimit të kritereve sa i përket përvojës menaxheriale. As në këtë çështje nuk ka pasur transparencë nga bordi i ShSKUK-së.

“Është e drejtë ligjore që ju takon ju dhe gjithë të tjerëve për qasje në dokumente publike sipas ligjit që është në fuqi dhe nuk besoj që askush ka të drejtë që të pengojë transparencën pavarësisht për çfarë procesi bëhet fjalë”, tha ministri në detyrë.

Dyshimet se në këtë konkurs ka parregullsi kishin filluar me rikthimin në garë të Valbon Krasniqit të cilin njësia e burimeve njerëzore fillimisht e ishte larguar nga gara për shkak të mungesës së përvojës në punën menaxheriale, ndërsa më vonë u rikthye në garë.

Me tu rikthyer në garë Valbon Krasniqi tre kandidatët tjerë, Saudin Maliqi, Driton Ukamat dhe Gani Halilaj, janë larguar nga kjo garë, pasi që sipas tyre ky konkurs është i politizuar.

Testit me shkrim i janë nënshtruar vetëm dy kandidatë nga pesë sa ishin në fillim, Valbon Krasniqi, i cili ka qenë në garë për deputet nga radhët e LDK-së, dhe Basri Lenjani.

“Testit me shkrim i janë nënshtruar dy kandidatë, kurse komisioni vlerësuar ka prezantuar  rezultatet të cilat janë publikuar në tabelën e shpalljeve. Procedura do të vazhdojë siç është e paraparë me legjislacionit në fuqi”, thuhet në përgjigjen e zyrës për media të ShSKUK-së.

Nga rezultatet e testit të publikuara nga ShSKUK, kuptojmë se Krasniqi është ka marrë 34 pikë nga 35 pikët maksimale, ndërsa Basri Lenjani mori vetëm 19 pikë, ndërsa sot dy kandidatët do t’i nënshtrohen intervistës.

KALLXO.com është munduar të flasë edhe me Basri Lenjanin, shef i Emergjencës, në lidhje me këtë konkurs por i njëjti nuk ka qenë i qasshëm.