Foto: FSK.
Armend Neziri i FSK-së dhe nënoficeri kroat Marijan Jeliq shpallen më të mirët e 'Ushtari më i mirë 2023'
Ushtari i Forcës së Sigurisë, Armend Neziri dhe nënoficeri nga Kroacia Marijan Jeliq janë shpallur ushtarët më të mirë “Ushtari më i mirë 2023”.
Ceremonia e shpalljeve së kësaj gare u mbajt sot në kazermën e FSK-së “Skënderbeu” në Ferizaj.
Përmes një njoftimi FSK ka bërë të ditur se Armend Neziri është shpallur ‘Ushtari më i mirë 2023’ nga FSK-ja për vitin 2023 dhe pas tij u radhitën Sead Veseli dhe Arsim Jashari.
Ndërsa, po sipas njoftimit, nënoficeri nga Kroacia Marijan Jeliq, u shpall ushtari më i mirë ndërkombëtar, i përcjellë nga Marin Volareviq dhe Eugen Zoriq gjithashtu nga Kroacia.
Në ceremoninë përmbyllëse morën pjesë Komandanti i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, eprorë të lartë të FSK-së të Gardës së Iowas e partnerëve ndërkombëtarë dhe të regjionit.
Gara “Ushtari më i mirë 2023” është realizuar me pjesëmarrjen e garuesve nga Kosova, Shqipëria, Kroacia, Sllovenia, Maqedonia e Veriut, Kanadaja, Jordania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA).
Pjesëmarrësit garuan në disiplinat si: Testi fizik, njohuri të përgjithshme, gjuajtje me armë të gjata dhe të brezit, navigim tokësor, kalimi i poligonit të besueshmërisë, hedhja e granatës, ndihma e parë, vëzhgimi i terrenit dhe marshimi.
FSK thotë se pjesëmarrja e garuesve nga ushtritë e vendeve partnere dhe të rajonit në këtë garë dëshmon shkallën e lartë të bashkëpunimit me vendet partnere, që FSK e ka krijuar me disiplinë, përkushtim dhe profesionalizëm.