Armend Muja thotë se për shkak të çështjes së Trustit ka marrë ofendime ai dhe familja e tij

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere është duke e shqyrtuar Projektligjin për lejimin e tërheqjes së mjeteve nga Trusti pensional.

Për prezantimin e këtij Projektligji është ftuar Adnan Jashari, si përfaqësues i iniciativës e cila ka ardhur në Kuvend pas nënshkrimeve të qytetarëve.

Jashari ka thënë se kjo nismë ka filluar si kërkesë e qytetarëve pas miratimit të këtij Projektligji në Kuvend.

“Pranuam mijëra kërkesa nga qytetarët që kërkesa dhe nevoja është e madhe. Qytetarët u organizuan vullnetarisht ku edhe dorëzuam nënshkrimet e rregullta të cilat janë mbi 17 mijë nënshkrime. Këto kërkesa erdhën pas janë rritur te gjitha çmimet dhe është bërë e vështirë jeta e qytetarëve”- ka thënë Jashari.

Po për trajtimin e këtij projektligji në Kuvend, kryetari i Komisioni për Buxhet, Armend Muja, ka thënë se në baza ditore ka marrë ofendime dhe fyerje.

“Presioni publik po e bën të veten. Anëtarët e atij portali pro tërheqjes më drejtohen në baza ditore mua dhe familjarëve të mi me fyerje dhe ofendime, pse është e nevojshme që të bëhet kjo për familjarët”- ka thënë Muja.

Ndërsa Adnan Jashari si përfaqesues i kësaj nisme tha se “në asnjë formë nuk kam bërë thirrje për ofendime”.

Në shqyrtimin e këtij projektligji të ftuar janë edhe përfaqësues nga Trusti.

Drejtori menaxhues i Trustit, Ardian Zalli, ka thënë se nëse ky ligj miratohet dhe nëse të gjithë personat i tërheqin mjetet e tyre, shuma e tërheqjes është mbi 594 milionë euro.

“Prej shifrave nëse shkohet siç është propozuar në ligj shuma që do të tërhiqet është mbi 594 milionë euro nëse të gjithë i tërheqin, nëse marrim praktikën se sa i kanë tërhequr herën e kaluar është 95 për qind. Është e pritshme që e njëjta shumë të tërhiqet që është rreth 600 milionë” – ka thënë ai.

Tash e sa muaj, kërkesë e opozitës në Kosovë është t’u mundësohet qytetarëve të tërheqin deri në 30 për qind të mjeteve nga Fondi, për të përballuar, siç thuhet, më lehtë inflacionin në rritje.

Projektligji për Trustin fillimisht ka dalë në votim në muajin qershor, por është refuzuar nga partia në pushtet Lëvizja Vetëvendosje. Edhe institucionet financiare ndërkombëtare vazhdimisht e kanë kundërshtuar mundësinë e tërheqjes së mjeteve të trustit.

Më 15 korrik të këtij viti, në Kuvendin e Kosovës u dorëzuan nënshkrimet e peticionit për nismën legjislative qytetare për Projektligjin për Trustin.