Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Armend Muja: Nuk kemi qenë aq të fortë sa të shesim një ari tokë për 52 euro

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Armend Muja në seancën e sotme tha se qeveria Kurti nuk është qeveri që e shet një ari tokë për 52 euro.

“Shumë shpesh gjatë këtij viti ka ndodhur që qeveria dhe ne jemi etiketuar me emra të ndryshëm që është qeveria më e dobët, jemi praktikantë. Unë mënoj që Kosova ka nevojë për këso praktikash. Nuk kemi qenë aq të fortë sa të shesim një ari tokë për 52 euro. Qytetarët e Kosovës nga raporti i fundit që kemi marrë nga AKP, janë shitur 30 mijë ari tokë me kosto 52 euro një ari, atë forcë nuk e kemi pas”, ka thënë ai.

Muja ka thënë se gjatë këtij viti në buxhetin e Kosovës janë shtuar 461 milionë euro.

“Pas një viti nga të dhënat e fundit të buxhetit të Kosovës të vitit 2021, vendimi juaj për të votuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe një qeveri të re e ka pas një implikim të drejtpërdrejt, plus 461 milionë euro në buxhetin e shtetit, të hyrat buxhetore të Kosovës në vitin 2011 ishin 1. 3 miliardë euro, ishte dashur një dekadë që ai të arrijë në 1.7 miliardë euro. Ajo që nuk është bërë për 10 vite është bërë për një vit”, ka thënë Muja.

Kuvendi i Kosovës po mban sot seancë plenare.

Në rend dite të kësaj seance janë 27 pika.