Ministri i Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosetto me Ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj. FOTO: KALLXO.com

Armend Mehaj pret në takimin homologun e tij nga Italia

Ministri i Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosetto është takuar me Ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj në një pritje me gardë ceremoniale ushtarake.

Në konferencën e përbashkët për media, Mehaj ka treeguar se gjatë takimit kanë folur pë raportet mes dy vendeve dhe për proceset në të cilat po kalon FSK.

“Me ministrin kemi diskutuar për rëndësinë e zhvillimeve gjeopolitike rajonale dhe globale. Kemi diskutuar edhe proceset që i kalon FSK-ja dhe Ministria e Mbrojtjes” – ka thënë Mehaj.

Kreu i Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës bëri të ditur se me ministrin italian ka nënshkruar marrëveshje bilaterale për vitin 2023.

“Kemi diskutuar edhe për planin bilateral mes dy ministrive. Për vitin 2023 kemi nënshkruar marrëveshje bilaterale sa i përket 21 aktiviteteve që do përfshihen mes dy ministrive ose mes dy forcave tona” – tha Mehaj deri sa theksoi se ka kërkuar mbështetjen e ministrit italian për anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE.

“I kam ofruar ministrit, se Kosova dhe Forca e Sigurisë së Kosovës është e gatshme të mbështesë në operacione ndërkombëtare dhe misione të ardhshme. Të qëndrojmë krahë për krahë me partnerët tanë dhe Italinë. Aty ku kërkohet, të kontribuojmë edhe në sigurinë globale.”- është shprehur ministri Mehaj.

Ministri i Mbrojtjes së Italisë, Guido Crosetto me Ministrin e Mbrojtjes së Kosovës, Armend Mehaj. FOTO: KALLXO.com

Ndërsa, ministri italian, Crosetto është shprehur falënderues për qëndrimin e Kosovës ndaj situatës në Ukrainë dhe mikpritjen ndaj trupave italiane në Kosovë.

“Kemi biseduar edhe e kam falënderuar për qëndrimin e Kosovës ndaj situatave në Ukrainë. E kam falënderuar ministrin por përmes ministrit falënderoj çdo qytetar për mikpritjen ndaj trupave italiane që kanë qenë në vend. Kemi biseduar për aspiratat e Kosovës që ka për bashkëngjitje në Evropë dhe në NATO” – tha, Crosetto.