Armë dhe mina me telekomandë në apartament, tre të arrestuar në Lezhë, në kërkim dy të tjerë

Tre shtetas kanë rënë në pranga këtë të hënë dhe dy të tjerë janë në kërkim, pasi dyshohet se ishin pjesë e një rrjeti kriminal në Lezhë.

Në apartamentin e shtetasit me iniciale E.V., i shpallur në kërkim, u gjetën një armë zjarri pistoletë, disa mjete identifikimi dhe leje drejtimi të lëshuara nga një shtet tjetër.

Gjatë operacionit “Mataro” u vunë në pranga 3 shtetas, u shpallën në kërkim shtetasit E. V. dhe M. N., si dhe u sekuestruan arsenal me armë, municion, mina me telekomandë, një sasi e konsiderueshme eurosh e përfituar nga veprimtaria kriminale dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë./Top Channel/