Arkivi i shpërndarë i Rilindjes, AKP premton bartjen e materialeve në Arkivin e Kosovës

Megjithëse konsiderohet dokumentacion i rëndësishëm i historisë së Kosovës, arkivi e shtypshkronjës “Rilindja” ende nuk gjendet i sistemuar në një vend.

Në emisionin “Jeta në Kosovë”, u transmetua filmi dokumentar N’Rilindje që paraqet kujtimet e shkrimtarëve dhe redaktorëve të gazetës së atëhershme.

Në debatin në studio lidhur me arkivin e shtëpisë së parë botuese në Kosovë, u diskutua lidhur me mënyrën e ruajtjes së materialeve të mbetura të kësaj shtypshkronje dhe gazetës.

Bëhet e ditur se një pjesë e arkivit të “Rilindjes” gjendet nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Megjithatë, përfaqësuesi i Arkivit të Kosovës në këtë debat, Ruzhdi Panxha, tha se dokumentet që nuk janë të dhëna mbi ish-punëtorët e “Rilindjes” do duhej të ishin në Arkivin e Kosovës.

Lidhur me këtë, Granit Kuqi nga Agjencia Kosovare e Privatizimit tha se do ta zbatojnë ligjin dhe se dokumentet përkatëse do të dorëzohen në arkiv

“Na e ruajmë materialin me mundësitë që i kemi.. Për me ju dorëzu  arkivit të Kosovës dokumentet e mbetura, një ndërmarrje që është në procedurë të likuidimit duhet të bëhet përmbyllja e asaj ndërmarrjeje. Le të nja vjen një kërkesë në AKP dhe çdo gjë që është ligjore ne do të bashkëpunojmë me ta dhe do të ja japim ato që nuk na duhen përveç dosjeve të punëtorëve”, tha Kuqi.

Rilindja ishte shtypshkronja dhe gazeta e parë në Kosovë, e hapur në vitin 1945.

Ajo u mbyll në vitin 1990 nga forcat serbe meqë nuk pranuan të shpallen organ i Kuvendit të Serbisë.

Në debat lidhur me këtë temë flasin: Granit Kuqi nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, Ruzhdi Panxha nga  Arkivi i Kosovës, Ervina Halili, Arkivi Rilindja dhe Nazmi Rrahmani, shkrimtar.

Më poshtë gjeni emisionin e plotë: