Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arkitekti vushtrrias e quan "lajm të mrekulleshëm" vendimin e MAPL-së kundër rrënimit të objektit të ish-Gjykatës

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka refuzuar vendimin e Komunës së Vushtrrisë për rrënimin e ish-objektit të Gjykatës në këtë qytet.

Lidhur më këtë ka reaguar edhe arkitekti Bledian Salihu, i cili që nga fillimi kishte kundërshtuar rrënimin e këtij objekti.

Vendimin e MAPL-së Salihu e ka quajtur “një lajm të mrekullueshëm”.

Sipas tij, ky duhet të jetë një mesazh për elitën politike se qyteti u përket qytetarëve dhe qytetarët duhet të kenë të drejtën të vendosin për vendin e tyre.

“Kërkoj nga kryetari i Komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri  që të respektojë procedurat dhe që diskutimi publik për këtë ndërtesë duhet të pasojë në ditët / javët në vazhdim me qytetarët e Vushtrrisë, në mënyrë që të merret një vendim i duhur për të ardhmen e qytetit tonë”, ka shkruar arkitekti në rrjetin social “Facebook”.

Sipas vendimit të siguruar nga KALLXO.com, MAPL kërkon nga Komuna e Vushtrrisë rishqyrtimin e një vendimi të tillë.

Pas këtij vendimi ka reaguar asamblistja nga radhët e Lëvizjes  Vetëvendosje, Gresa Muli.

Muli përmes një postimi në Facebook ka ftuar asamblistët e Kuvendit Komunal të Vushtrrisë që ky vendim të shërbejë si “mundësi reflektimi për mosvotimin e këtij vendimi”.

Vendimi për rrënimin e objektit të ish-Gjykatës Komunale ka qenë temë e debatit në emisionin Kallxo Pernime të mërkurën e shkuar.