Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arkitekti nga Vushtrria tregon si e ndali rrënimin e ish-objektit të Gjykatës

Arkitekti dhe pjesëtari i shoqërisë civile, Bledian Salihu, ka dhënë detaje për KALLXO.com se si ka ndodhur sot tentimi për rrënimin e objektit të ish-Gjykatës Komunale në Komunën e Vushtrrisë nga ana e kësaj të fundit.

Salihu tha se ka marrë njoftimin nga qytetarët se në ora 07:00 të mëngjesit një makineri ka filluar punimet dhe pas kësaj ai ka dalur në vendin e ngjarjes dhe ka thirrur Policinë.

“I kam thirr Policinë e Kosovës dhe i kam tregu që kjo çështje është në një proces t`u u shqyrtu në Ministri të Kulturës dhe i kam kërkuar me kontaktu qendrën e tyre kryesore. Pas kësaj, ka ardhur asamblistja e LVV-së, Gresa Muli dhe ia kemi dhënë policisë kontaktet e Ministrisë së Kulturës të cilët e kanë njoftuar policinë që është në proces ky objekt të shqyrtimit dhe policia ka marrë vendim me ndal punën për rrënimin”, bëri të ditur ai.

Salihu shtoi se në vendin e ngjarjes kanë qenë edhe zyrtarët komunalë, përfshirë drejtori i Urbanizimit, Berat Sadiku, ai i Kadastrës, Adnan Lahu dhe menaxheri i këtyre punimeve, Nexhat Merovci, por sipas tij, ky i fundit ka dhënë urdhërin për mos largim të bagerëve të kompanisë së angazhuar për rrënimin e objektit.

“Nexhati ka thënë mos me largu bagerin objekti për rrënim as si ka përmbush kushtet, s’ka pasur as rrethoja dhe ka qenë kritike dhe i rrezikon qytetarët, sepse ende ka qenë e kyçur edhe energjia elektrike e s’ka pasur as mburojë e as njoftim të punimeve. Pas kësaj kërkova prej policisë që me ardh togeri dhe mi tregu që me largu bagerin dhe për 1 orë e kemi bind me dal bageri jashtë. Komuna insistojke mos me dalë jashtë”, tha ai.

Ai shtoi se e gjithë kjo rezistencë ka zgjatur nga ora 07:30 deri në ora 11:30.

“Tash është vendos shiriti i policisë dhe i ka dhënë urdhër kompanisë derisa Ministria e Kulturës të jep vendim final mos të filloj punimet. Unë nëse trashëgimia kulturore në Mitrovicë vlerëson që është në rregull kjo çështje, s’jam kundër, por jam kundër asaj që pse bash të dielen të bëhet kjo”, tha Salihu më tej derisa theksoi se nuk është pjesë e asnjë partie politike, por vetëm aktivist.

KALLXO.com më herët raportoi se Komuna e Vushtrrisë sot ka filluar rrënimin e objektit të ish-Gjykatës Komunale, por u pengua nga aktivistë të shoqërisë civile dhe nga opozita.

Xhafer Tahiri nis rrënimin e objektit të Gjykatës me gjithë kundërshtimet – FOTO

KALLXO.com ka kontaktuar edhe mbikqyrësin e kësaj kontrate, Nexhat Merovci si dhe kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri dhe është duke pritur përgjigje.

KALLXO.com ka raportuar në vazhdimësi për përjekjet e qeverisë së Xhafer Tahirit për ta rrënuar objektin e gjykatës, veprime këto që janë kundërshtuar edhe nga Ministria e Pushtetit Lokal – LINK