Kreshnik Gashi, ARKEP raporton para Komisionit Hetimor për PTK dhe Vala

ARKEP ende pa zgjidhje konkrete për shërbimet e Z Mobile

Autoriteti Rregullativ për Komunikimet Elektronike dhe Postare, ende nuk ka dhënë një pasqyrë të asaj se çfarë do të ndodhë pas shkëputjes së kontratës së Telekomit me Z Mobile.

Z Mobile në pronësi të Blerim Devollit që kishte qenë në marrëdhënie kontraktuale me ndërmarrjen publike, deri më tani ka pasur në dispozicion 300 mijë numra telefonikë.

Lidhur me këta numra dhe klientelën e kësaj kompanie ende nuk është bërë e qartë se çfarë do të ndodhë, përpos që është përmendur një fazë tranzitore prej 30  deri 120 ditësh.

Sot, kryesuesi i bordit të ARKEP, Kreshnik Gashi, u ftua në raportim në Komisionin Hetimor Parlamentar për gjendjen në PTK dhe Vala.

Deputetët aty kërkuan nga Gashi të tregojë se çfarë do të ndodhë me numrat e Z Mobile.

Gashi në fillim ka pohuar se epilogu i kontratës në mes të Valës dhe Z Mobile ende nuk ka përfunduar duke pohuar se në takimet e ardhshme që ARKEP do të ketë me palët pritet të dihen më shumë sqarime.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, Gashi ka mohuar se ARKEP-i është treguar neglizhent dhe nuk ka favorizuar Z mobile, siç u pohua nga deputetët.

I pyetur nga kryesuesi i komisionit, Visar Ymeri rreth pronësisë së numrave të Z Mobile dhe se a ka mundësi që pas mos vazhdimit të kontratës me Telekomin, Z mobile t’ia shes numrat IPKO- s, Gashi ka pojuar se kjo është e mundshme.

“Është e mundshme sepse Z Mobile ka të drejtë se më çfarë operatori mund t’i kryejë shërbimet, por ne po flasim për një proces të papërfunduar”, ka thënë Gashi.

Gashi është pyetur edhe nëse ka punëtorë të ARKEP që kanë konflikt interesi me Z Mobile.

“Ne nuk kemi informacione rreth kësaj çështje por mund të ju garantojë se asnjë i punësuar në ARKEP nuk ka konflikt interesi në këtë rast”, u përgjigj Gashi.

Në fund të muajit korrik ka përfunduar kontrata 10 vjeçare mes Telekomit të Kosovës dhe Dardafon (Z-Mobile).

Kontrata e cila ka ngritur shumë pluhur për dëmet që ia ka shkaktuar Telekomit të Kosovës ka përfunduar pas gjashtë muaj negociata të pasuksesshme për ndonjë marrëveshje të re.

Fundi i kontratës 10 vjeçare me Z-Mobile