Ekspedita shqiptaro-zvicerane në Lin 3

Arkeologët gërmojnë misteret e palafiteve në liqenin e Ohrit

Intensiteti i zbulimeve arkeologjike në brigjet e liqenit gjatë viteve të fundit ndikoi dukshëm në përfshirjen e ujërave shqiptare të tij në listën e mbrojtur të UNESCO dhe i ka hapur rrugë realizimit të projekteve të përbashkëta shqiptaro-zvicerane.

Drejtori i këtij projekti, Adrian Anastasi tha për BIRN se ekspedita e fundvitit të kaluar u përqendrua në një nga pikat e bregliqenit, pranë fshatit Hudënisht, ku gjatë misioneve të kaluara janë zbuluar mjaft elemente arkeologjike të periudhave të neolitit të mesëm dhe të vonë, si dhe të bronxit të vonë.

“Së bashku me kolegët Ariane Ballmar dhe Johannes Reich nga Instituti i Shkencave të Arkeologjisë dhe nga Universiteti i Bernës punuam për vendosjen e koordinatave topografike të sitit, si dhe për ndërtimin e hartave dhe të planimetrive,” theksoi dr. Adrian Anastasi, i cili përfaqëson Institutin e Arkeologjisë së Tiranës në realizimin e këtij projekti.

“Lin 3” është një nga pesë sitet arkeologjike që janë hulumtuar vitet e fundit në bregun e liqenit të Pogradecit, nga kufiri verior pranë Linit deri në atë të pikës kufitare të Tushemishtit.

Megjithëse të dhënat e para mbërrinin nga kërkimet e prof. Ilir Gjipalit, për arkeologun nënujor Anastasi zbulimet e njëpasnjëshme, që krijuan një fond me objekte të ndryshme, nga prehistoria 5,000-7,000 vjet të shkuara deri në mesjetën e vonë, po sjellin një pamje të jetës në këto brigje gjatë mijëvjeçarëve të kaluar.

Gjatë misionit të fundit në “Lin 3” arkeologët kanë kryer karotazhe, që synojnë identifikimin e shtresës kulturore në tokë e në ujë.

“Ne presim rezultatet e analizave nga laboratorët e Bernës dhe të Oksfordit,” tha Adrian Anastasi, sipas të cilit kjo do të përcaktojë edhe datimet e sakta për hipotezat e deritanishme.

Kalimi nga toka në liqen, jeta në banesa palafite, gjuetia në prehistori, apo prodhimi i veglave të punës, do të jenë disa nga elementet që pritet të sqarohen për mënyrën e jetesës së banorëve në këtë hapësirë mijra vjet më parë.

Ndërsa në zonën pranë Tushemishtit do të vlerësohen objektet e zbuluara e që i përkasin periudhës nga shek. 11-15, ato të mesjetës së vonë i përkasin gjetjeve në fshatin Lin.

Të gjitha zbulimet në liqenin e Ohrit, tashmë janë bërë pjesë e hartës arkeologjike nënujore, e cila deri tani ka patur si objekte ujërat detare të Jonit dhe Adriatikut.

“Është një hartë analitike tokë-ujë, ndryshe nga ajo e detit, ku eksplorimet vijojnë edhe në thellësi,” nënvizon dr. Anastasi, i cili vlerëson edhe kontributin e dy teknikëve Gent Olldashi dhe Dejvi Mani.

Misioni i përbashkët shqiptaro-zviceran i dhjetorit tashmë ka përcaktuar edhe një plan që parashikon hapa konkretë për të ardhmen turistike të siteve të zbuluara.

Projekti ka gjetur mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, por dr Adriani kërkon më shumë përfshirje nga ana e Bashkisë së Pogradecit.

“Brenda tre vitesh turistët vendas dhe të huaj mund ta vizitojnë sitin “Lin 3” dhe objektet arkeologjike, jo vetëm në tokë, por edhe në ujë,” sqaron arkeologu nënujor, sipas të cilit ngritja e një muzeu me këto objekte do të kërkojë më shumë kohë.

Synimi tjetër i arkeologëve parashikon rindërtimin e vegjetacionit, duke iu rikthyer periudhës së neolitit.

Tashmë planet e hartuara parashikojnë krijimin e një parku natyror me rreze prej 30 km, që do të tentojë të risjellë bashkë me elementet arkeologjikë të mijëvjeçarëve të shkuar, edhe faunën e florën e kohëve të kaluara.

Por, sfida e vërtetë e arkeologëve nga Shqipëria dhe Zvicra mbetet ngritja pranë Pogradecit e një Qendre Kërkimore Ndërkombëtare dypalëshe.

“Rikrijimi i vendbanimit prehistorik mbi bazën e të dhënave të grumbulluara do të shërbejë edhe si model shkencor për studimet e ardhshme në nivel ballkanik,” përfundoi dr. Adrian Anastasi. (reporter.al)