Foto: KALLXO.com

Arjeta Sadiku dhe Fidan Hoxha zgjidhen anëtarë të Këshillit Gjyqësor të Kosovës nga radhët e gjykatave themelore

Gjykatat themelore të Kosovës sot kanë zgjedhur dy anëtarë (gjyqtarë), të cilët do t’i përfaqësojnë gjykatat në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.

Në listën përfundimtare të kandidatëve nga gjykatat themelore ishin Arjeta Sadiku nga Gjykata e Prishtinës, Besnik Bislimaj nga Gjykata e Gjakovës, Fidan Hoxha nga Gjykata e Prizrenit, Mirlinda Bytyqi nga Gjykata e Ferizajt, Veli Kryeziu nga Gjykata e Gjilanit dhe Veton Ademaj nga Gjykata e Pejës.

Nga kandidatët e lartëshënuar, më së shumti vota kanë marrë kandidatja Arjeta Sadiku nga Gjykata e Prishtinës – gjithsej 129 vota dhe gjyqtari tjetër Fidan Hoxha nga Gjykata e Prizrenit, i cili në rundin e dytë ka marrë 139 vota.

Ndryshe, të drejtë vote kanë 317 gjyqtarë nga gjykatat themelore të Kosovës dhe të drejtën e tyre për të votuar e kanë shfrytëzuar 253 nga ta.

Këshilli Gjyqësor siç është përcaktuar me nenin 108 të Kushtetutës dhe Ligjin për Këshillin Gjyqësor të Kosovës përbëhet nga trembëdhjetë (13) anëtarë, me kualifikime dhe ekspertizë profesionale, tre nga të cilët janë anëtarë të gjykatave themelore, të cilët kanë mandat 5-vjeçar pa të drejtë rizgjedhjeje.

Kujtojmë se në bazë të rregullores për proceduren dhe kriteret e zgjedhjes së anëtarëve  të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, pas përfundimit të zgjedhjeve në gjykatat themelore, komisioni ka përpiluar listën e kandidatëve të nominuar nga gjykatat përkatëse si dhe ka njoftuar të gjithë gjyqtarët e gjykatave themelore në lidhje me kandidatët e zgjedhur dhe ditën e mbajtjes së tubimit zgjedhor.