Foto: REL

Arifi: Pa zgjidhjen e problemeve jetike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, nuk ka marrëveshje stabile Kosovë-Serbi

Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka thënë se pa zgjidhjen e problemeve jetike të shqiptarëve të Luginës së Preshevës nuk ka marrëveshje stabile dhe afatgjate mes Kosovës dhe Serbisë, rrjedhimisht as paqe në rajon.

Duke komentuar deklaratën e të dërguarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, i cili tha në emisionin “Kallxo Përnime” se çështja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës asnjëherë nuk ka qenë pjesë e dialogut, Arifi ka thënë se kjo shpërfaq politikat amatore të Kosovës.

“Përfaqësuesi Special i Bashkimit Europian, diplomati Miroslav Lajčàk, gjatë qëndrimit në Kosovë dhe deklarata e tij rreth çështjes dhe përfshirjes së Luginës së Preshevës në dialogun Kosovë-Serbi, shpërfaq politikat amatore të Republikës së Kosovës ndaj Luginës së Preshevës ndër vite e deri më sot. Ndërsa, mbetet dëshpërues fakti që edhe pas kaq vitesh jemi në pikën zero”, ka shkruar Arifi në ‘Facebook’.

Ai ka pytetur se nëse kjo temë asnjëherë nuk është propozuar zyrtarisht apo formalisht në dialog, ‘nga kush mbetet Lugina e Preshevës të kërkojë ndihmë’.

Mbrëmë në emisionin ‘Kallxo Përnime’, Mirosllav Lajçak ka thënë se çështja e shqiptarëve në Serbi nuk ka qenë asnjëherë pjesë e dialogut dhe nëse Kosova dëshiron ta bëjë pjesë të dialogut, atëherë i takon Kosovës të propozojë këtë dhe pastaj të shihet nëse do të pajtohet edhe Serbia, “sepse janë palët ato që vendosin se çka është pjesë e agjendës”.

Lajçak: Çështja e shqiptarëve në Serbi nuk ka qenë asnjëherë pjesë e dialogut