Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arianit Elshani i PDK-së tregon ai i lejohet Albin Kurtit kandidatura për deputet

Anëtari i KQZ-së nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Arianit Elshani në “KALLXO Pernime” është pyetur për kandidimin në zgjedhjet e 14 shkurtit të Albin Kurtit, Albulena Haxhiut, Donika Kadaj Bujupit dhe Faton Topallit.

“Nuk kisha dashtë me fol për emra të përveçëm, pasi që ky vendim reflekton për të gjithë të dënuarit, andaj nuk besoj që duhet të ndalemi si anëtarë të KQZ për emër të përveçëm. Në të kaluarën, PDK që në zgjedhjet e kaluar ka iniciuar një pakt kundër korrupsionit për me pastru edhe listat që mos të ketë kandidat të akuzuar  e të dënuar. Më vjen mirë që Kushtetuesja ka hedhë këtë standard”, tha Elshani.

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani mbrëmë ka shpërndarë legjislaturën e shtatë të Kuvendit të Kosovës dhe ka caktuar zgjedhjet parlamentare të parakohshme për më 14 shkurt.

Kurse, sot, në mbledhjen e KQZ-së u bë e ditur se fushata zgjedhore fillon më 3 dhe përfundon më 12 shkurt 2021.

Vendi po shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme pasi më 21 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e ka shpallur Qeverinë Hoti si antikushtetuese.

Kushtetuesja kishte konstatuar se qeveria e zgjedhur më 3 qershor 2020, nuk ishte në pajtueshmëri me paragrafin 3 të nenit 95 [zgjedhja e qeverisë] të Kushtetutës sepse qeveria nuk kishte marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve.

Kjo për shkak të votës së deputetit Etem Arifit, i cili, më 3 qershor votoi për Qeverinë Hoti, ndonëse kishte një dënim të formës së prerë për veprën penale “mashtrim me subvencione”, prej një vit e tre muaj burgim.

Të ftuar në emisionin e sotëm janë, Arianit Elshani nga PDK, Ibrahim Selmanaj nga AAK, Sami Kurteshi nga LVV dhe Labinot Leposhtica nga Zyra e Ligjore e BIRN-it.