Foto: Telegrafi.com

Argjentina e mbyll me epërsi prej dy golash pjesën e parë ndaj Kroacisë

Argjentina e ka mbyllur në epërsi prej 2-0 pjesën e parë ndaj Kroacisë në gjysmëfinale të Kupës së Botës.

Fillimi i pjesës së parë ishte i kontrolluar nga të dyja skuadrat, me presion në mesfushë dhe pak raste.

Goditjen e parë në portë e kishte Enzo Fernandez që gjuajti nga distanca në minutën e 25-të, por goditja e tij u prit nga Dominik Livakovic.

Por loja u zhbllokua në minutën e 32-të, kur Daniele Orsato tregoi në pikën e bardhë, pasi portieri Dominik Livakovic ndali në mënyrë të palejuar sulmuesin Julian Alvarez.

Nga pika e bardhë ishte Lionel Messi që gjuajti bukur për të shënuar për 1-0.

Pas pesë minutash Argjentina arriti të gjejë sërish golin, pas një aksioni individual të Julian Alvares, që mposhti Livakovicin për 2-0.

Argjentina ka mundur ta mbyll ndeshjen në minutën e 42-të, kur Alexis Mac Allister gjuajti me kokë, por Livakovic bëri pritje të madhe.

Argjentina duket në rrugë të mirë për në finale, ndërsa Kroacia duhet të reagojë në pjesën e dytë nëse dëshiron më shumë. /Telegrafi.