
Ardian Kastrati: Bandat e Memli Krasniqit m'i bllokuan votat
Kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ardian Kastrati, pretendon se ‘prishja e matematikës për një koalicion të mundshëm mes PDK-së dhe Lëvizjes Vetëvendosje’, ka ndikuar që këtij të fundit t’i sjellë pak vota në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Në postimin tij në Facebook, ai ka shkruar se “bandat e kryetarit të PDK-së Memli Krasniqi ja kanë bllokuar votat”.
“Arsyeja pse nuk jam i votuar në këto zgjedhje është sepse i kam prishur matematikat për koalicion Memli Krasniqit me Albin Kurtin dhe rrjedhimisht bandat e Memlit më kanë bllokuar votën”- ka shkruar Kastrati.
Madje ai thotë së është votuar me pak në komunën e Drenasit, pasi ka kritikuar më së shumti pushtetin gjatë mandatit që e lemë pas.
“Në Drenas unë jam votuar më pak se disa kandidatë të panjohur e të papunë, që pozitën e deputetit e shohin vetëm si një vend pune (me përjashtim Ferat Shala dhe Fadil Demaku), sepse unë kam folur dhe kritikuar shumë Albin Kurtin përgjatë katër viteve të fundit në kuvend dhe në media. Po të mos e kisha kritikuar Kurtin, mesiguri do të isha votuar më shumë” – ka thënë Kastrati.
Kastrati nuk e kurseu fare kryetarin e partisë se tij, ai tregoi se çka i tha Memli Krasniqit nëse ai benë koalicion me VV-në.
“I kam thënë këtij Memlit, pas takimit të tij me Kurtin, që nëse bën koalicion me VV-në (për interesa të Memlit) unë jo vetëm që do të kundërshtoj publikisht, por kudo që je ti, duke ngrënë darkat e tua të shtrenjta në Hotel Emerald, do të vij të gjuaj me ngjyrë në lule të ballit”- shkruan ai.
Sipas Kastratit, “ushtarët” e Memli Krasniqit janë “mobilizuar për të i’a bllokuar votën nëpër të gjitha strukturat e PDK-së”.
Mirëpo, Kastrati shprehet se është krenar pasi ka arritur qëllimin e tij, pasi, sipas tij, Memli Krasniqi nuk “guxon” të bëjë koalicion me Albin Kurtin.
Kosova i ka mbajtur zgjedhjet e rregulla parlamentare më 9 shkurt.