
Ardian Gjini s'pranoi të marrë pjesë në debatin “Jeta në Komunë”, për premtimet e tij u përgjigjën drejtorët komunalë
Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, në debatin “Jeta në Komunë”, që ishte mbajtur në vitin 2021, në kohën kur kandidonte për të parin e komunës, kishte premtuar se do të merrte pjesë në debatet e udhëhequra nga Jeta Xharra.
Ai ishte pyetur për këtë çështje dhe kishte thënë: “A erdha tash, a kam ardhë masi i kom fitu të kalumet, patjetër që vi”.
Por, në debatin e fundit të “Jeta në Komunë”, të shfaqur më 22.12.2024, Gjini nuk pranoi që të jetë i pranishëm për t’u ballafaquar me premtimet e tij dhe projektet të cilat janë nuk janë realizuar në Komunën e Gjakovës.
Në debat morën pjesë drejtorët e drejtorive të Komunës së Gjakovës, pesë asamblistë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe një i Partisë Demokratike të Kosovës.
Edhe opozita vendosi që të bojkotoj këtë debat në shenjë proteste për mungesën e kryetarit Gjini në debat.
Ndonëse, jo i pranishëm në debat, para drejtorëve të Gjinit u transmetuan premtimet e këtij të fundit të cilat i kishte dhënë në “Jeta në Komunë” në vitin 2021.
Ekipi i “Jeta në Komunë” ka verifikuar disa nga premtimet e dhëna nga Gjini e që disa prej tyre dalin se nuk kanë përfunduar, disa janë duke u kryer.
Gjini kishte premtuar se do të hapin dy çerdhe të reja në Novosellë dhe Çabrat. Ekipi i “Jeta në Komunë” ka vizituar këto dy çerdhe dhe të njëjtat janë funksionalizuar.
“Çerdhja në Çabrat është hapur në tetor të vitit 2022 dhe është funksionale, çerdhja në Novosellë të ulët ka përfunduar në tetor 2022 dhe është funksionale”- thuhet në përgjigjet e Komunës së Gjakovës për KALLXO.com.
Një premtim tjetër i Gjinit ishte edhe ai për impiantin e ujërave të zeza në Gjakovë. Gjini pati thënë se është para përfundimit dhe do të lëshohej në vjeshtën e vitit 2022. Tutje, ai kishte shtuar se edhe impianti në fshatrat Skivjan e Marmullë kishin përfunduar.
Ekipi i “Jeta në Komunë” kishte verifikuar premtimin dhe kishte gjetur se impianti në Skivjan e Marmullë ishin jashtë funksionit. Kjo për faktin se nuk kanë pranim teknik, ndërsa Kompania Regjionale e Ujësjellësit “Gjakova” kishte fajësuar Komunën se nuk i kishin dërguar dokumentet.
Fillimisht komuna ka thënë në disa përgjigje për KALLXO.com se impiantet në Marmullë e Skivjan janë funksionale.
E kur ekipi ka pyetur KRU “Gjakova” për këtë çështje, ata kanë thënë se nuk janë funksionale për shkak se nuk është bërë pranim- dorëzimi i projekteve.
“Sipas marrëveshjes së datës 23.08.2023 ndërmjet Komunës së Gjakovës dhe Ujësjellësit KRU Gjakova, kemi pranuar asetet e rrjetit të ujërave të ndotura dhe menaxhimin e tyre. Megjithatë, në përputhje me pikën 1.17 të marrëveshjes, menaxhimi i impianteve në Marmull dhe Skivjan do të kalojë në menaxhimin e KRU-së vetëm pas pranimit të raportit teknik dhe dokumentacionit shtesë nga Komuna e Gjakovës. Deri më tani, ky transferim nuk është realizuar për shkak të mungesës së raportit të pranimit teknik. Si pasojë, asetet e këtyre dy impianteve, të cilat aktualisht janë jofunksionale, nuk kanë kaluar ende në menaxhimin e KRU Gjakovës. Vlen të theksohet se këto impiante janë ndërtuar nga Komuna e Gjakovës, dhe KRU Gjakova nuk mban përgjegjësi për funksionalizimin e tyre. Ndërkohë, Impianti i Ujërave të Ndotura në Gjakovë është inauguruar më 11 maj 2023 dhe është plotësisht funksional, duke operuar me të gjitha kapacitetet e tij nën menaxhimin e KRU Gjakova”- thuhet në përgjigjen e KRU “Gjakova” për ekipin e “Jeta në Komunë”.
Një tjetër premtim i Gjinit ishte edhe për kanalizimin në fshatin Rogovë.
“Edhe në Rogovë është kontraktu komuna për kanalizimin, për dy javë vjen, por nuk e di çka keni!”- kishte premtuar Gjini.
Ekipi i “Jeta në Komunë” ka verifikuar se projekti për kanalizimin ende nuk ka përfunduar.
E për ndërtimin e stadiumit në Gjakovë, projekt ky në bashkëfinancim me nivelin qendror, Gjini kishte kërkuar vetëm votimin e buxhetit nga asambleja.
“Votojeni buxhetin, e keni stadiumin të buxhetuar. Unë ko me ja dhezë dritat stadiumit të Gjakovës, edhe reflektorët, edhe semaforat”- kishte thënë Gjini në debatin kundër kandidatëve të tij për të parin e Gjakovës.
Nga verifikimi në terren që ekipi i “Jeta në Komunë” e ka bërë gjatë muajit tetor, doli se ende nuk ka përfunduar projekti.
Komuna ka thënë se projekti pritet të përfundoj në vitin 2026.
“Deri më tani është përfunduar një tribunë ndërsa në tri të tjera dhe në fushë po punohet paralelisht. Projekti në tërësi pritet me përfundu në vitin 2026”- thuhet në përgjigjet e komunës.
As projekti për montimin e dyerve të sigurta në banesat kolektive nuk ka përfunduar.
Kjo pasi që komuna thotë se Zyra Kombëtare e Auditorit ka thënë se duhet të rishikohet lloji i investimit për këtë çështje.
“Nuk kam mujtë me mbajtë premtimin mandatin e kaluar, do ta mbaj sivjet sepse është në procedurë të tenderimit. Po besoj që për 1-2 javë do të filloj montimi i dyerve të sigurta, interfonëve kamera në të gjitha banesat kolektive është në tenderim dhe do të fillohet të punohet”- kishte premtuar Gjini.
“Ende nuk janë përfunduar të gjitha dyert në çdo banesë kolektive. Nga auditori na është kërkuar të mos i kategorizojmë si investime kapitale sepse të gjitha janë prona private. Komuna duhet të rishikoj llojin e investimit”- thuhet në përgjigjet e komunës për këtë çështje.
Gjini kishte premtuar se do të emërojë më shumë se tre drejtoresha të drejtorive në Gjakovë, ndërsa nga verifikimi në terren del se numri nuk është rritur.
“Si pjesë e ekzekutivit të Komunës së Gjakovës janë tri gra drejtoresha: Drejtoresha e Arsimit, e Kulturës dhe e Shëndetësisë”- thuhet në përgjigjet e komunës.
Një premtim tjetër është edhe për furnizim me ujë për fshatrat e Gjakovës.
“Duhet me shku dikun 500 mijë euro deri në 700 mijë euro për ujë të pijes për Gerçinë, Bitesh edhe për edhe për një lagje në Kralan që kanë mbetë. 44 fshatra janë lidh me ujë dy vjet që po i lemë pas. Uji duhet me u kry”- kishte premtuar Gjini.
Aktualisht në bazë të të dhënave në terren, fshati Gerçinë nuk ka furnizim të plotë me ujë të pijes.
“Gjatë 5 viteve të fundit 45 fshatra janë kyçur në ujësjellës, probleme me furnizim me ujë ka vetëm fshati Gerçinë”- ka thënë komuna për “Jeta në Komunë”.