Ardian Gjini, shkarkoi dy drejtorë që iu bënë rival në zgjedhje, caktoi nënkryetarin në vend të tyre

Nënkryetari i Komunës së Gjakovës, Flamur Fetahaj, përveç pozitës që mban aktualisht, është caktuar të udhëheqë edhe me dy drejtori komunale.

Kjo pasi kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka shkarkuar drejtorin e Inspekcionit, Fazli Hoxha dhe atë të Zhvillimit Ekonomik, Ferdinand Kolaj. Të dy janë shkarkuar pasi kanë vendosur që të kandidojnë për kryetar të komunës, për zgjedhjet lokale të tetorit dhe janë konkurrent në këtë garë me shefin e tyre Ardian Gjinin.

Fazli Hoxha është kandidat nga radhët e Nismës Socialdemokrate, ndërsa Ferdinand Kolaj nga Partia Shqiptare Demokristiane e Kosovës (PSHDK).

Në një përgjigje për KALLXO.com, Komuna e Gjakovës ka thënë se drejtorët nuk janë shkarkuar se kanë bërë punë të keqe, por për shkak të kandidaturës së tyre.

“Flamur Fetahaj është autorizuar që të kryejë detyrat që lidhen me Drejtorinë për Punë Inspektuese dhe atë për Zhvillim Ekonomik”, thuhet në përgjigjen e Komunës.

Në anën tjetër, në një përgjigje për KALLXO.com, Fazli Hoxha tha se Nisma Socialdemokrate ka filluar të marrë mbështetje të madhe në Gjakovë, e kjo sipas tij, ka bërë që të shkarkohet e të dëmtohet politikisht.

“Është vendim që e ka mendu politikisht edhe me e shfrytëzu këta 2-3 muaj sa ka mbet, se tash me siguri e emëron një njeri që e ka të vetin që është i dëgjueshëm”, thotë Hoxha.

Fazli Hoxha i Nismës akuzon Ardian Gjinin se e shkarkoi për ta dëmtuar politikisht