Ardian Gjini ri-emëron drejtor komunal të akuzuarin për korrupsion

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini ka ri-emëruar drejtor të Urbanizmit, Arben Bakallin, i cili ka aktakuzë aktive për korrupsion.

Përmes një njoftimi në rrjetin social ‘Facebook’, dje Komuna e Gjakovës ka bërë publikë emrat e 12 drejtorëve të Drejtorive Komunale, ndër to edhe të Urbanizmit.

Gjatë debateve komunale për zgjedhjet lokale 2021, kryetari Ardian Gjini kur është pyetur se a do t’i shkarkojë drejtorët me aktakuza, Gjini ishte përgjigjur se ‘kjo varet’.

KALLXO.com ka kontaktuar kryetarin Gjini, po i njëjti nuk është përgjigjur.

Ndërsa drejtori Bakalli në pyetjen se prej “çka është varë’ emërimi i tij, ai është përgjigjur se për këtë duhet të pyetet kryetari.

“Apeli e ka kthy në rigjykim, nëse vjen vendimi përfundimtar, as ligjërisht nuk guxoj, edhe automatisht me vetëdëshirë jap dorëheqje”, ka thënë Bakalli përmes telefonit.

Ai ka bërë të ditur gjithashtu se është anëtar i AAK-së, parti kjo e kryetarit Gjini.

Për çka akuzohet Arben Bakalli?

Arben Bakalli bashkë me arkitektin Agron Gojani akuzohen nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës, në muajin shkurt të vitit 2018, Agron Gojani në cilësinë e arkitektit në Drejtorinë për Urbanizëm, ku paraprakisht kërkohej bashkimi i parcelave kadastrale para fillimit të procedurave për leje ndërtimi, i akuzuari ka aprovuar kërkesën për kushte ndërtimore duke lëshuar vendim me të cilën ka aprovuar kërkesën për ndërtimin e objektit kolektiv në 6 parcela në pronësi të familjes Bakia.

Aktakuza shpjegon se i njëjti ka keqpërdorur detyrën e tij me qëllim që të tjerëve t’u sjell dobi pasurore, në këtë rast Teuta Bakia si dhe t’i shkaktojë dëm të dëmtuarës Komunës së Gjakovës, duke vepruar në kundërshtim me Planin Urbanistik, ku sipas projektit ajo zonë ishte paraparë të jetë zonë gjelbëruese.

Ndërsa, drejtori i Urbanizmit në Komunën e Gjakovës, Arben Bakalli ka keqpërdorur detyrën e tij duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim, ka nënshkruar vendim për kushtet ndërtimore për ndërtimin e objektit kolektiv në pronësi të familjes Bakia, e më pas e ka lëshuar atë vendim për leje ndërtimore.

Të dy të akuzuarit ishin shpallur fajtor më 30 gusht të këtij viti nga Gjykata Themelore në Gjakovë.

Bakalli në cilësinë e drejtorit të Urbanizmit është dënuar nga Gjykata Themelore me 1 vit burg dhe 3 mijë euro gjobë ndërsa, ndërsa arkitektin dhe ish-bashkëpunëtorin profesional të kësaj Drejtorie Agron Gojanin e ka dënuar me 1 vit burg dhe 2 mijë euro gjobë.

Por që në fillim të këtij muaji, Gjykata e Apelit ka vendosur që lënda të kthehet në ri-gjykim në Gjykatën Themelore.

 

Gjykata e Apelit kthen në rigjykim rastin e ish drejtorit të Urbanizmit dhe bashkëpunëtorit e tij në Gjakovë