Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ardian Gjini: Qeveria Kurti hoqi projektet për Komunën e Gjakovës

Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, i cili është edhe nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se në kohën kur ekzekutivin e ka udhëhequr Albin Kurti, projektet për komunën e Gjakovës kanë qenë zero.

Ai, në Debat Pernime, ka thënë se projektet për Gjakovën më së shumti kanë qenë në kohën kur qeverisjen e drejtonte Ramush Haradinaj.

“Përderisa nëpër qytetet tjera janë përfunduar të gjitha projektet, autostradat, shkollat e në Gjakovë kurrgjë gjë që ka qenë e padrejtë, sepse jemi njëri nga qytetet më të mëdha në Kosovë. Në kohën e kryeministrit Haradinajt kemi pasur hapje, i kemi nis hyrje daljet e qytetit, qarkoren e brendshme, e kemi nis stadiumin, i kemi nis të gjitha. Vitin e kaluar e kemi pa çfarë do me thënë kur vjen në pushtet dikush që nuk do me të pa me sy. Z. Kurti i ka heq krejt projektet, në buxhetin e marsit të vitit të kaluar, kanë ra në zero, të gjitha projektet”, ka thënë Ardian Gjini.

“Po du me përmend një rast, për një urë në Rogovë me vite e me vite, e në fund të vitit 2019 është fut në kodin buxhetor, në mars të vitit të kaluar është heq kodi krejt. Këto duhet me u dite, duhet ta dinë qytetarët e Kosovës, është e pandershme me veprua kështu”, ka thënë Ardian Gjini.