Ardian Gjini për dy rastet me coronavirus: Jemi në pritje të kuptojmë se nga kanë qarkulluar

Dy persona nga Komuna e Gjakovës janë testuar pozitivë për coronavirusin COVID-19.

Të dy rastet janë të kthyer nga Dusseldorfi i Gjermanisë, një burrë 54 vjeç dhe një grua 49 vjeçe.

Lidhur më këtë KALLXO.com ka kontaktuar me kryetarin e Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

Ai nuk ka pranuar që të japë detaje shtesë për të dy rastet, përderisa janë në pritje të kuptojnë se nga kanë qarkulluar.

“Jemi në dijeni për rastet e paraqitur pozitive në Gjakovë. Duhet marrë vesh njëherë prej institucioneve tona për të parë së ka kanë qarkulluar në mënyrë që të testojmë më shumë. Pasi që të kuptojmë këtë atëherë edhe ne si Komunë do të shohim së a duhet masash shtesë”, tha Gjini.

Numri i përgjithshëm i rasteve me coronavirus ka shkuar në 19.

Qytetet si Vitia, Malisheva, Podujeva dhe Klina janë në karantinë pasi në këto qytete u identifikuan disa të prekur me virus.

Ndërkaq, tre persona të prekur me coronavirus janë identifikuar në Aeroportin e Prishtinës pasi erdhën nga Londra.

Qeveria e Kosovës ditë më parë ka shpallur gjendjen emergjente pas situatës me rrezikun e shpërndarjes së këtij virusi.