Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Ardian Gjini dyshon për shifrat e të vdekurve nga COVID

Kryetari i Gjakovës, Ardian Gjini, ka reaguar pas situatës më pandeminë COVID-19, duke dyshuar në numrin e viktimave që raportohen nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas tij, me këtë situatë Qeveria po bënë politikë.

“Po ashtu e dinim se rastet e vdekjeve nuk raportoheshin sakte. Numri i vërtetë nuk është raportuar, duke i shtyrë raportimet për disa ditë, ndërsa tani kur rastet janë grumbulluar, dalin shifrat në shesh. Shumica prej nesh jemi kursyer nga komentet, vetëm për të mos e politizuar tragjedinë që na ka kapluar, por qeveria po bën politikë. Shumë keq!”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, nga 1700 doza të vaksinimit në ditë deri para një jave, qendra e vaksinimit në Gjakovë tani i jep më pak se 500.

“Punëtorët shëndetësorë ishin të gatshëm të punojnë edhe të dielave por nuk u lejuan, me pretekstin se nuk lëshohet SISH.  Po vërtetohet, ashtu siq kryetarët e komunave e dinin por nuk flisnin sepse nuk donim ta rëndonim gjendjen, se vaksina ka pak”, tha më tej Gjini.

Sot, Kosova regjistroi 36 viktima, që është numri më i lartë i viktimave të regjistruara brenda një dite, që prej shfaqjes së pandemisë ne mars të vitit 2020.

Pas kësaj, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka mbledhur Këshillin e Sigurisë dhe tha se është brengosëse shkalla e ulët e respektimit të masave kundër koronavirusit, andaj ai tha se në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, të mbajtur të dielën më 29 gusht, kanë vendosur që të rrisin kapacitetet mbikëqyrëse, me qëllim që të respektohen masat.

Kurti: Nga nesër do shtohen edhe 85 inspektorë për të mbikëqyrur zbatimin e masave anti-COVID