Foto: Kaja Kallas / X
Ardhja e Kallasit në krye të diplomacisë europiane s’pritet të ndryshojë kursin e dialogut Kosovë-Serbi
Pas takimit me shefen e re të diplomacisë europiane, Kaja Kallas, më 03.12.2024, kryeministri Albin Kurti foli me optimizëm se ajo ‘është në kohën e duhur” dhe “në vendin e duhur’.
Duke u paraqitur para mediave pas takimit, ai megjithatë u shpreh i prerë se nuk tërhiqet nga kushtet e paracaktuara për t’u takuar me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq, e ku hyjnë: dorëzimi i Milan Radoiçiqit, tërheqja e letrës së ish-kryeministres serbe Ana Bërnabiq përmes së cilës thotë se nuk e njeh integritetin territorial të Kosovës dhe nënshkrimi i Marrëveshjes Bazë.
Kurti pas takimit me shefen e diplomacisë së BE-së: Kallas është në kohën dhe vendin e duhur
Kallas në anën tjetër, pas takimeve të ndara me Kurtin dhe Vuçiqin, tha se është në dobi edhe të BE-së që të ecet drejtë rrugës me procesin e zgjerimit me Ballkanin Perëndimor dhe se rruga tjetër është ‘të përpiqemi të ulim realisht tensionet ekzistuese, në mënyrë që të mund të ecim përpara në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit’.
Pritshmëritë e Kurtit për ndryshime në kuadër të qasjes së BE-së ndaj Kosovës dhe dialogut në veçanti nuk i kanë edhe analistët e çështjeve politike.
Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin për Biznes dhe Teknologji, Dritëro Arifi, thotë se ndryshim të qasjes së BE-së do të ketë vetëm kur Kosova të pranohet si shtet nga pesë vendet anëtare mosnjohëse (Spanja, Greqia, Qipro, Rumania dhe Sllovakia).
‘Pritet të ketë një qasje më pozitive, më balancuese dhe më objektive sa i përket raporteve Kosovë-Serbi. Mund të ketë një ndryshim,por jo ai ndryshimi që ne presim, që të paktën Bashkimi Europian duhet të ndryshoj politikën karshi Kosovës e jo vetëm dialogu Kosovë-Serbi. Pra, ajo është pranimi i Kosovës si shtet i pavarur edhe nga ato pesë shtetet mosnjohëse. Kjo do të jetë shumë e vështirë, por sidoqoftë do të jetë një nismë pozitive që mandej të arrihet në pika të tjera’ – deklaroi Arifi për KALLXO.com.
Seb Bytyçi, profesor në Universitetin e Winchesterit, thotë se ndryshimi i qasjes mbetet të shihet ndonëse ka indikatorë për ndryshime në qasje.
‘Mendoj se fokusi kryesor do te jetë te implementimi i marrëveshjeve. Indikatorët janë për një qasje të re por mbetet të shihet a janë vetëm premtime këto’ – thotë Bytyçi për KALLXO.com.
Vet Kallas pas takimeve informuese me detyrën e saj të re kërkoi normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve në mënyrë që të anëtarësohen në BE.
“E vetmja rrugë drejt anëtarësimit në BE është përmes normalizimit të raporteve mes tyre, në bazë të Marrëveshjes së Ohrit. Mirëprita gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar pas sulmit të fundit terrorist. Kryesit duhet të përballen me drejtësinë”, shkroi Kallas në rrjetet sociale.
Kurti pas takimit tha se e ka njoftuar Kallasin për hetimet lidhur me sulmin e fundit që ndodhi më 29 nëntor në Zubin Potok ndaj kanalit të Ibër-Lepencit.
Duke folur për këtë akt, Kurti tha se janë gjetur shumë elemente ruse.
Vuçiq në anën tjetër shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me të gjithë në hetimin dhe ndalimin e mundshëm, si dhe në ndjekjen penale të personave përgjegjës, duke mohuar pretendimet e Kosovës së Serbia është e përfshirë në sulm.
Presidenti i Serbisë tha se autoritetet serbe do të informojnë publikun sapo të kenë ndonjë provë lidhur me atë se kush është përgjegjës për sulmin në Zubin Potok.
Vuçiq pas takimit me Kallas: Bisedë e hapur dhe e vështirë
Për ndryshime në dialog, po pritet që gishti të kthehet nga vetja dhe të ketë vetëreflektim nga shteti i Kosovës, por edhe ndryshim nga vet Bashkimi Evropian.
‘Komisionerja tha që duhet të ndryshohet qasja nëse dojmë rezultate. Prandaj pres që të ndryshohet qasja. Qasja e vjetër është shpërblyer nga Serbia me dhunë në Banjskë dhe Ibër- Lepenc. Dhe ajo qasje është bërë e paqëndrueshme’ – thotë profesori Bytyçi.
Ai thotë se megjithatë nuk ka pritshmëri të mëdha nga Bashkimi Europian.
‘Nuk kam pritje të mëdha sepse mundësitë për zhgënjim nga BE janë të mëdha, por së paku pres ndryshime kozmetike në formalitete dhe ndoshta në format’ – shtoi Bytyçi.
Arifi në anën tjetër thotë se Kurti nuk i ka mbajtur kushtet të cilat i ka vendosur për dialogun. Kjo sepse zëvendësi i tij, Besnik Bislimi ka zhvilluar takime në kuadër të dialogut.
Sipas tij, për vazhdimin e dialogut do të duhej të vendoseshin kushte të tjera.
‘Dialogu duhet të kushtëzohet me njohje nga Bashkimi Europian. Serbia nuk duhet të jetë çështje e temës, sepse Serbinë e ka ngritur vet Bashkimi Europian duke e ‘përkëdhelë’ këto vite. Ne duhet të kërkojmë llogari për vetën tonë, pra esenca është a na pranon neve BE-ja si shtet, si subjekt që ne të mund të negociojmë me Bashkimin Europian dhe të bëhemi anëtar. Meqë, ne nuk mund të bëhemi anëtar pa e pasur njohjen e plotë nga Bashkimi Europian, ky duhet të jetë kushti kryesor. Pra, zbatimi i marrëveshjes me njohje nga pesëshja europiane. Kjo e defaktorizon elementin serb destruktiv si brenda ashtu edhe jashtë Kosovës’ – thotë Arifi.
Kjo strategji, sipas Arifit, do të duhej të ishte ndjekur që nga fillimi. Ndekja e një qasjeje tjetër, siç thotë ai, ka bërë që të mos mund të nxirret maksimumi nga Marrëveshja e Ohrit dhe ajo e Brukselit.
Pritjet që Kallas të mund të bëj ndryshime të mëdha në dialogun Kosovë-Serb, sipas tij, janë të vogla për shkak të ndikimit të madh në politikën e BE-së të vet shteteve anëtare.
Arifi thotë se ndryshime të mëdha karshi Kosovës mund të ketë vetëm me ndryshimin e qasjes së shteteve anëtare dhe se vetëm ajo nuk mund të zhvilloj ndryshime të mëdha.
‘Do të duhej ndryshim i madh brenda BE-së njëherë. Pa e parë ndryshimin brenda BE-së, në raport me Politikën e Jashtme në përgjithësi, e në veçanti me rastin e Kosovës, atëherë mund të shohim që mund të ketë ndonjë lëvizje pak më serioze. Nëse shkohet nga ajo që në njëfarë mënyre, Kosovës t’i largohen masat dhe të balancohet dialogu, këto janë pozitive por nuk janë përmbajtësore, nuk e ndërtojnë paqen e qëndrueshme’ – thotë Arifi.
Ngjashëm, ndryshime të vogla pret edhe Bytyçi, ndonëse pret që Kallas në kuadër të mundësive të saj do të mundohet të bëjë ndryshime.
‘Në përgjithësi nuk pres ndryshim të madh sepse politika përcaktohet kryesisht nga shtetet anëtare të cilat e kanë qasjen e vjetër akomoduese ndaj Serbisë. Mirëpo, për aq sa ka pushtet Kallas pres disa ndryshime sado të vogla’ – thotë ai.
Arifi në anën tjetër thotë se Serbia do të duhej të mbahej përgjegjëse për problemet që ndodhin, kjo për shkak të ndikimit të saj në komunitetin serb në Kosovë.
Në takimet mes Kallasit me Kurtin e Vuçiqin mungoi i dërguari i veçantë për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.
Mungesa e tij në takime po shihet si indikator që ai nuk ka çka të jap më në këto takime.
‘Mund të jetë shenjë në favor të indikacioneve të mëhershme që funksioni i tij do të shuhet ose shenjë e pakënaqësisë me punën personale të tij. Besoj që ai nuk ka çfarë të kontribuoj më’ – thotë Bytyçi.
Kosova dhe Serbia janë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011.
Ky proces fillimisht kishte nisur për çështje teknike, për të kaluar më pas në nivel politik.
Edhe pse janë nënshkruar marrëveshje, shumica prej tyre nuk janë zbatuar.
Takimet në Bruksel, Kurti: Bëra thirrje për llogaridhënie për sulmin terrorist në Ibër-Lepenc