Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Arben Vitia paralajmëron për rrezikun nga varianti Delta - VIDEO

Ministri i Shëndetësisë Arben Vitia, në një konferencë për media ka thënë se ka rritje të rasteve me COVID-19.

Ai është shprehur i shqetësuar lidhur me variantin e ri Delta të virusit.

“Kemi rritje të rasteve pozitive krahas rritjes së numrit të testimeve. Po ndajmë me ju një shqetësim dhe paralajmërim për rastet e shpejta për variantin Delta dhe variantet e tjera të Sars cov 2. Nga ana jonë jemi kujdesur që të ndërmarrim të gjitha masat që një valë e re të na gjejë të përgatitur”, ka thënë Vitia.

Vitia tutje potencoi se furnizimi me materiale është në faza të prokurimit, ndërsa arma e vetme për luftim të virusit mbetet vaksinimi.

“Për barna e materiale tjera, aktivitetet e prokurimit janë në fazën finale, oksigjenimi po ashtu është duke u shtrirë edhe në klinika tjera. Plani strategjik është para finalizimit e po ashtu edhe udhërrëfyesi klinik është para finalizimit. Arma jonë e vetme është vetëm vaksinimi”, shtoi tutje Vitia.

Vitia ka bërë thirrje që të bartet maska në vende të mbyllura dhe të shmangen vendet me shumë njerëz.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve të vaksinohen pasi ka mjaftueshëm doza, madje edhe për të zgjedhur llojin.

“Bartja e maskës në ambiente të mbyllura e shmangia e vendeve me shumë njerëz. Kosova ka vaksina për secilin qytetarë e po ashtu edhe të zgjedhin llojin e vaksinës dhe nuk ka asnjë arsye që të mos vaksinohemi. Jemi ende shumë larg përfundimit të vaksinimit. Kemi krijuar kapacitete që të vaksinohen 16 mijë e deri në 20 mijë qytetarë brenda ditës. Lus të gjithë qytetarët që të vaksinohen sa më shpejt sepse përhapja e variantit Delta është serioz”, tha ministri Vitia.