Foto: Fatrion Ibrahimi/KALLXO.com

Arben Vitia: Numri i të hospitalizuarve është 2.5 herë më i lartë për shkak të variantit Delta

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, tha se numri i të hospitalizuarve në klinikat COVID-19 në QKUK dhe spitalet regjionale është 2.5 herë më i lartë për shkak të variantit Delta.

Sipat tij, varianti Delta është arsyeja e rritjes së rasteve pasi ky variant nuk ka kursyer as fëmijët.

“Ne nuk kemi paraparë që në një kohë kaq të shkurtë të kemi rritje kaq eksplozive të të hospitalizuarve dhe të të infektuarve. Por me variantin Delta është paraparë një situatë e tillë, ku numri i të hospitalizuarve është 2.5 herë më i madh sesa varianti i parë. Ky variant nuk po kursen as moshat e reja e as ato pediatrike që kanë çuar në një numër kaq të madh të të infektuarve në Kosovë”, tha ministri Vitia në emisionin “Kallxo Përnime”.

Vitia po flet për situatën pandemike në Kosovë si dhe rritjen drastike të numrit të rasteve pozitive ditëve të fundit.

Kujtojmë se vetëm për një muaj, nga 13 gushti e deri më 13 shtator, nga COVID-19 kanë vdekur 533 qytetarë të Kosovës.