Arkiv
Arben Vitia mori rreth 3 mijë vota më pak se Shpend Ahmeti në vitin 2017
Në zgjedhjet lokale të 17 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje në Prishtinë ka marrë më pak vota, krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2017, në raundin e parë.
Kësaj radhe kandidat i Vetëvendosjes ishte ish drejtori i Shëndetësisë në Prishtinë dhe ish ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Ai më 17 tetor ka fituar 35 mijë e 433 vota.
Ndërsa kryetari aktual, Shpend Ahmeti, që në 2017-ën kishte garuar me Vetëvendosjen, atë kohë kishte marrë 38 mijë e 294 vota, apo 2 mijë e 861 vota më shumë se Arben Vitia.
Ndërsa sa i përket ulëseve në Kuvendin Komunal, në përqindje Vetëvendosje ka shënuar një rritje të lehtë.
Më 17 tetor 2021, Vetëvendosje ka marrë 34.20% që në numra ende nuk dihet sa i bie, ndërsa në vitin 2017 partia e Albin Kurtit kishte 33.12% që përkthyer në numra i kishte 17 ulëse.
Në balotazh në vitin 2017, Shpend Ahmeti kishte fituar mandatin e dytë si kryetar i Prishtinës për 365 vota më shumë se kundërkandidati i LDK-së, Arban Abrashi.
Raundi i dytë i zgjedhjeve lokale të vitit 2021 është caktuar më datë 14 nëntor. Në Prishtinë, Arben Vitinë e sfidon Përparim Rama i LDK-së, i cili me 17 tetor ka marrë 29.35% të votave.